Vendosni fjalën kyçe....

Rusia: Kriza në Ukrainë është rezultat i dëshirës së SHBA-së për të ndërtuar botën unipolare


“Konflikti midis Moskës dhe Kievit, si dhe kriza e gjatë në Ukrainë, është një rezultat i drejtpërdrejtë i shtytjes së Perëndimit për të krijuar një botë unipolare, e cila përfshinte zgjerimin e pandërprerë të NATO-s drejt lindjes.” Kështu tha të shtunën Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov gjatë një interviste për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua.

“SHBA dhe NATO e kanë parë gjithmonë Ukrainën si një instrument për të frenuar Rusinë.”- tha ministri, duke shtuar se arsyet që përfundimisht e shtynë Moskën të nisë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë rrjedhin nga një politikë perëndimore shumëvjeçare që përfshinte nxitjen e ndjenjës anti-ruse midis ukrainasve dhe detyrimi i tyre për të bërë një “zgjedhje” midis Perëndimit dhe Rusisë.

“Ishte Perëndimi ai që fillimisht nxiti dhe më pas mbështeti një grusht shteti antikushtetues në Kiev në vitin 2014.”– i cili shkaktoi një konflikt të brendshëm ukrainas që SHBA dhe aleatët e saj nuk u përpoqën kurrë ta zgjidhnin, tha Lavrov. Ai akuzoi Uashingtonin dhe aleatët e tij për “nxitjen” e një “kursi agresiv anti-rus” të Kievit dhe “shtyrjen e nacionalistëve drejt një zgjidhjeje ushtarake” të krizës në Donbass.

Ministri rus thotë se Uashingtoni dhe Brukseli i hodhën poshtë propozimet e Rusisë për garancitë e sigurisë në Evropë në dhjetor të vitit 2021 dhe Moskës nuk i mbetej asnjë zgjidhje tjetër veçse të nisë operacionin e saj ushtarak për të mbrojtur popullin e Donbasit, pas një kërkese nga udhëheqësit e dy republikave.

Sipas Lavrovit, Rusia është e interesuar për një “Ukrainë paqësore, të lirë, neutrale, të begatë dhe miqësore”. Ai shton se Moska dëshiron të rivendosë “lidhjet shekullore kulturore, ekonomike dhe familjare midis rusëve dhe ukrainasve”. Ai tha gjithashtu se delegacionet ruse dhe ukrainase po mbajnë diskutime të përditshme mbi një marrëveshje të mundshme paqeje.

Ndërsa këmbënguli në kërkesën për një status neutral për Ukrainën, ministri i jashtëm pretendoi se politika perëndimore e “nxitjes” po pengon procesin e paqes. “Ata (e ka fjalën për SHBA-të dhe aleatët) de facto inkurajojnë Kievin që të luftojë (Rusinë) deri në njeriun e fundit duke pompuar (Ukrainë) plot armë dhe duke dërguar mercenarët e tyre.”– tha ai, citon RT.

Nëse SHBA-ja dhe NATO-ja do të ishin vërtet të interesuara për zgjidhjen e krizës në Ukrainë, ata do ta kishin kuptuar se populli ukrainas nuk ka nevojë për armë aq shumë sa për ndihma humanitare, beson ministri. Ai kujtoi se Rusia ka dërguar “rreth 15,000 ton ndihma humanitare” në republikat e Donbasit, si dhe në territoret ukrainase që forcat e saj kanë kapur pas fillimit të operacionit.

Ajo që po ndodh tani nuk është një “Luftë e re e Ftohtë”, por përpjekje e vazhdueshme e Uashingtonit dhe aleatëve të tij për të imponuar një “model të botës me qendër SHBA-në” mbi kombet e tjera, tha Lavrov. SHBA dhe aleatët e saj kërkojnë të gërryejnë rendin botëror të bazuar në OKB dhe ta zëvendësojnë atë me “rendin e bazuar në rregullat e tyre”.

Lavrov beson se operacioni i Rusisë në Ukrainë kontribuon në procesin e “çlirimit të botës nga kjo zgjedhë neokolonialiste e Perëndimit, e cila bazohet shumë në racizmin dhe përjashtimin amerikan”.