Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Krimet e fundit tronditëse, policia të zgjohet nga apatia


Tronditëse i ka cilësuar presidenti Meta ngjarjet e rënda që kanë ndodhur ditët e fundit në vend.

Kreu i shtetit thekson se këto krime tregojnë jo vetëm revanshin e krimit por edhe paaftësinë e policisë dhe strukturave të tjera të sigurisë e zbatimit të ligjit.

Presidenti i bën thirrje policisë që të shkundet nga apatia e të përmbushë detyrat që u cakton ligji duke luftuar krimin e duke larguar nga radhët e saj nëpunësit e lidhur me krimin.

“Ngjarjet shumë të rënda kriminale, me pasojë dhjetëra humbje jetësh dhe dëmtimin e shëndetit dhe të pronës së qytetarëve, që po ndodhin në mes të ditës, në ambientet publike, në zemër të qendrave urbane, deri edhe pranë institucioneve të larta të sigurisë, janë thellësisht tronditëse dhe një dëshmi e qartë jo vetëm e revanshit të krimit, por edhe e paaftësisë së Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, për parandalimin e tyre. Në këtë situatë kaq shqetësuese, që ka krijuar një pasiguri të madhe publike, i bëj thirrje Policisë së Shtetit, që në veçanti, ka për mision dhe përgjegjësi thelbësore ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, garantimin e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, që të shkundet nga apatia dhe të përmbushë me rigorozitet të gjitha detyrimet e saj ligjore, duke luftuar krimin në çdo qelizë të shoqërisë dhe larguar prej saj çdo nëpunës të korruptuar dhe të lidhur me “botën e errët”.” – shkruan Meta.

Presidenti shkruan më tej se veprat penale duhen parandaluar në kohë, të zbulohen e hetohen ndërsa autorët duhet të marrin ndëshkimi e duhur ligjor.

“Është tepër e domosdoshme, që të tilla vepra të rënda penale të parandalohen në kohë, të zbulohen, të hetohen dhe autorët e tyre të marrin ndëshkimin e merituar ligjor! Ndaj ju bëj thirrje të gjitha institucioneve të sigurisë kombëtare, në veçanti Shërbimit Informativ të Shtetit, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë të vendosin një bashkëpunim më të gjerë, më dinamik dhe efiçient mes tyre!” – mbyll reagimin Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *