Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutohet me breshëri automatiku 35-vjeçari në hyrje të Pallatit në Vlorë, gjendet një makinë e djegur


Një tjetër atentat ka tronditur qytetin e Vlorës pas mesnatës së kaluar, ku u qëllua me breshëri plumbash një 35-vjeçar.

Shkëlzen Velaj ka qenë duke hyrë për në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit ka qenë duke u ndjekur nga një makinë e dyshimtë. Ai e ka lënë makinën ndezur dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë, mirëpo kur ka qenë duke hapur derën, është qëlluar me automatik. Velaj ka ndërruar jetë në spital.

Nuk ka ende asnjë informacion për autorët e dyshuar të ngjarjes. Policia thotë se në afërsi të fshatit Risili është gjetur një makinë e djegur që dyshohet se është përdorur nga autorët e këtij krimi.

“Rreth orës 23:55, në lagjen ‘24 Maji’, në rrethana ende të paqarta është qëlluar me armë zjarri shtetasi Sh. V., rreth 35 vjeç, i cili ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Vlorë si pasojë e plagëve të marra.

Gjatë krehjes së zonës, në afërsi të fshatit Risili, nga shërbimet e Policisë është konstatuar duke u djegur një automjet i braktisur, i cili paraprakisht dyshohet se mund të jetë i autorit/ve të ngjarjes.”- thuhet në njoftimin e policisë.

Dyshimet janë se ky atentat mund të jetë kryer nga 2 apo më shumë persona. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *