Vendosni fjalën kyçe....

Përplasi me makinë një punëtor të firmës mirëmbajtëse të Rrugës së Kombit, gjykata lë në burg 67-vjeçarin


Gjykata e Lezhës ka lënë në “arrest me burg” 67-vjeçarin Ded Doçi, personin që u arrestua pak ditë më parë, pas akuzave se tentoi të vrasë me makinë një punëtor të firmës mirëmbajtëse të Rrugës së Kombit, duke e lënë atë të plagosur.

Sipas “Balkanweb”, para trupës gjykuese 67-vjeçari ka pranuar faktin se ka pasur konflikte mbi pronësinë e tokës ku po punonin punëtorët, por ka mohuar ta ketë përplasur qëllimisht me makinë punëtorin Nazmi Halila. Ai pretendon se ka qenë aksidentale.

Megjithatë, gjyqtari Jak Ndoka pranoi kërkesën e prokurorit Ylli Pjetërnikaj dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Doçin, për veprën penale të “Vrasjes së mbetur në tentativë”.

Ded Doçi u arrestua pesë ditë më parë, pasi përplasi me makinë një nga punëtorët e firmës private që po punonte në aksin rrugor Rrëshen- Rubik.

Nazmi Halila, u dërgua në spital për të t’u mjekuar dhe aktualisht ndodhet në shtëpi.

67-vjeçari Doçi pretendon se trualli ku po kryhen hetimet ishte në pronësi të tij.

“Ky shtetas, me vetëgjyqësi, duke pretenduar mbi pronësinë e tokës, ku një kompani kryente punime, në aksin rrugor Rrëshen- Rubik , ka tentuar të vrasë duke e përplasur me automjetin e tij punonjësin e kësaj kompanie shtetasin N .H.,banues në Kukës.”- thuhej në njoftimin e policisë për arrestimin e tij.