Vendosni fjalën kyçe....

Blinken premton rindërtimin e Gazës dhe rihapjen e konsullatës në Jeruzalem


Sekretari i Shtetit Antony Blinken njoftoi të martën se Uashingtoni do të rihapë Konsullatën e Përgjithshme amerikane në Jeruzalem, një lëvizje që rivendos lidhjet me palestinezët të cilat u reduktuar nga administrata Trump.

Konsullata shërbeu për një kohë të gjatë si një zyrë autonome e ngarkuar për marrëdhëniet diplomatike me palestinezët. Por ish-Presidenti Donald reduktoi veprimtarinë e saj dhe e vendosi ato nën autoritetin e ambasadorit në Izrael pasi mori vendim për zhvendosje të ambasadën në Jeruzalem.

Vendimi i zotit Trump shkaktoi zemërim në mesin e palestinezëve, të cilët e shohin Jeruzalemin lindor si territor të okupuar dhe kryeqytetin e shtetit të tyre të ardhshëm.

Zoti Blinken nuk dha një datë të saktë për rihapjen e konsullatës.

Sekretari i shtetit e njoftoi vendimin pas një takimi me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas në Ramallah, në Bregun e okupuar Perëndimor. Shtetet e Bashkuara po përpiqen të mbështesin zotin Abas në rivalitetin e tij me grupin militant Hamas që dominon Gazan si dhe në skenën ndërkombëtare.

Administrata Biden do t’i kërkojë Kongresit amerikan 75 milion dollarë ndihma zhvillimi dhe ekonomike për palestinezët, njoftoi të martën Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili shtoi se Uashingtoni do ta vazhdojë procesin për të rihapur konsullatën e SHBA në Jeruzalem, raporton VOA.

Duke folur pas takimit me Presidentin e Autoritetit Palestinez Mahmoud Abbas, zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të sigurojnë gjithashtu 5.5 milion dollarë ndihmë të menjëhershme për Gazën dhe 32 milion dollarë për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën (UNRWA).

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të martën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe shkoi më pas në Ramallah të Bregut të pushtuar Perëndimor, ku u takua me Presidentin Palestinez të mbështetur nga Perëndimi, Mahmoud Abbas.

Sekretari Blinken e filloi vizitën në Jeruzalem, ku pati bisedime me Kryeministrin Netanyahu.

“Ne e dimë se për të parandaluar një kthim të dhunës duhet të përdorim hapësirën e krijuar për të trajtuar një grup më të madh çështjesh dhe sfidash të cilat qëndrojnë prapa saj. Dhe kjo fillon me trajtimin e situatës së rëndë humanitare në Gazë dhe me fillimin e rindërtimit,” tha zoti Blinken.

Shtetet e Bashkuara, tha ai, do të punojnë për të grumbulluar mbështetje ndërkombëtare rreth këtyre përpjekjeve dhe për të dhënë “kontributin e tyre të rëndësishëm”.

“Ne do të punojmë nga afër me të gjithë partnerët tanë, për të garantuar se Hamasi nuk do të përfitojë nga ndihma e rindërtimit,” tha sekretari Blinken.

Udhëheqësi izraelit, Benjamin Netanyahu, duke folur në krah të diplomatit të lartë amerikan, kërcënoi për një “kundërpërgjigje shumë të fuqishme” nëse Hamasi rifillon sulmet me raketa.

Zoti Blinken do të jetë në rajon deri të enjten dhe do të vizitojë gjithashtu Egjiptin dhe Jordaninë. Në koordinim me vizitën e tij, autoritetet izraelite lejuan që karburantet, ilaçet dhe ushqimet e destinuara për sektorin privat të Gazës të hynin në këtë territor për herë të parë që nga fillimi i luftimeve më 10 maj.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *