Vendosni fjalën kyçe....

Kanabis në banesën e marrë me qira, arrestohet 22-vjeçari në Tiranë, pranga edhe punonjësit të OSHEE-së


Policia në Tiranë ka arrestuar një 22 vjeçar, i cili akuzohet se banesën që kishte marrë me qira në rrugën “5 Maji”, e përdorte edhe për të shitur lëndë narkotike.

Sipas policisë, i riu me inicialet K.P, përveç lëndës narkotike kanabis të grirë, kishte në banesën e marrë me qira edhe municion luftarak.

Po ashtu ai kishte bërë dhe një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Për këtë arsye është arrestuar edhe shtetasi me inicialet E. Z., pasi duke qenë faturues i energjisë elektrike, ka shpërdoruar detyrën duke mos e denoncuar rastin e vjedhjes së energjisë.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve K. P., 22 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, sepse me datë 14.05.2021, në rrugën ‘5-Maj’, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e marrë me qira nga K. P., iu gjet dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, disa pajisje njësie kompjuterike, dy grirese të lëndëve e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, municion luftarak, si dhe iu konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

Ndërsa shtetasi E. Z., duke qenë faturues i energjisë elektrike, dyshohet se ka shpërdoruar detyrën.”– thuhet në njoftimin e policisë.