Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Masakra elektorale provohet nëse KAS s’i bindet Ramës, mësuesit e punësuar për zgjedhje kanë mbetur pa rroga


Deputetja e zgjedhur e PD-së Albana Vokshi u ka bërë thirrje anëtarëve të KAS-it që të mos i binden kryeministrit Rama por ligjit për të zbardhur masakrën elektorale të ndodhur në zgjedhjet e 25 prillit.

Vokshi shkruan se një nga provat e forta të masakrës elektorale janë punësimet në kohën e zgjedhjeve. Ajo solli si shembull punësimin e mësuesve në shkollat e Fierit të cilët nuk do marrin rroga pasi janë punësuar jashtë organikës e buxhetit të parashikuar.

Vokshi thekson në fund të reagimit të saj në Facebook, se nisja e mandatit të paligjshëm me mashtrim e braktisje për mësuesit tregon se sa e drejtë dhe e pazëvendësueshme është beteja e PD-së për ndryshimin, për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Provat për vjedhjen e zgjedhjeve duke përdorur burimet shtetërore janë kudo. Duhet që 3 prej anëtarëve të KAS të mos i binden më Ramës, por ligjit dhe masakra elektorale do të provohet edhe zyrtarisht. Një nga provat për të cilat KAS duhet të marrë informacion janë punësimet elektorale. Mësuesit e marrë në punë për zgjedhje ne shkollat e Fierit kanë mbetur pa rroga. Ata nuk ishin parashikuar në buxhet dhe sot nuk paguhen dot, sepse janë jashtë organikës. Janë vetëm punësime të përkohshme elektorale në këmbim të votës. Ky skandal elektoral dhe nëpërkëmbje e dinjitetit njerëzor ka ndodhur në, të paktën, 2 gjimnaze të Fierit, në shkollën e muzikës “Jakov Xoxa” dhe në shkollat e mesme të bashkuara në Kafaraj, Povelçë e Cakran të Fierit. Këtë muaj mësuesit “elektoralë” do të mbeten pa rroga, pasi u është thënë se fondi limit mujor është tejkaluar.  Nisja e këtij mandati të paligjshëm me mashtrim, keqtrajtim, dhe braktisje për mësuesit na tregon sesa e drejtë dhe e pazëvendësueshme është beteja jonë për ndryshimin dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.” – shkruan Vokshi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *