Një reagim vjen nga Presidenca pas vendimit të Parlamentit për të miratuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Zëdhënësi i Metës Tedi Blushi, tha në një deklaratë për mediet se Presidenti nuk njeh asnjë vendim apo veprimtari “antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë”, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër “kukull”.
Madje qeverinë Rama, e ka quajtur “regjim kleptokratik”.
“Presidenti i Republikës, shkëlqesia e tij Zoti Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë që Kuvendi 1-partiak e refuzoi m undësinë që u dha prej tij për t’u kthyer në shinat e kushtetutës dhe të ligjit.
Në këto kushte bëj me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës, nuk do të ndohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit 1 partiak në detyrë si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull, të këtij regjimi kleptokratik.
Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë tonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul.
Askush nuk mund të fshihet dot as pas ‘etikës’ dhe as pas ‘retorikës’, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI.
Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e tij për atë që do të ndodhë në vijim.
Garantojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, se në respekt të betimit të tij me dorën mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës do të ushtrojë me përgjegjësi të plotë të gjitha funksionet e tij kushtetuese deri në datën 24 korrik 2022 dhe nuk do të tolerojë më asnjë lloj intimitimi të institucionit të Presidentit të Republikës nga mafia lokale, rajonale dhe ndërkombëtare.
Faleminderit!”- tha Blushi.
Kjo deklaratë vjen pasi Kuvendi miratoi sot me 97 vota pro, ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, për shkarkimin e presidentit Meta.