Vendosni fjalën kyçe....

Covidi i merr jetën aktorit Guljelm Radoja


Ka humbur jetën për shkak të Covid-19, aktori Guljelm Radoja.

Mësohet se aktori qëndronte prej tre ditësh në intubim, fillimisht në spitalin e Durrësit e më pas në spitalin “Shefqet Ndroqi” në kryeqytet, por për fat të keq nuk ka mundur të mbijetojë.

Ai kishte disa javë që ishte i infektuar nga Covidi dhe gjendja e tij ishte e rënduar për shkak se i ishin prekur mushkëritë.

“Tani më kanë njoftuar që nuk është mirë. Ai i ka mushkëritë tepër të rënduara. Duhet t’i ketë pasur rëndë edhe para kovidit. Mbase kjo sëmundje po shfaq disa të fshehta të shëndetit të tij që nuk diheshin më parë. Prej dy javësh ai është në reanimacion. Tani presim që natyra të bëjë punën e vet. E kam takuar më tepër kemi shtrënguar duart nuk kam dashur ta lodh. Është e vështirë ta shohësh prindin në atë gjendje.”– tha i biri i aktorit Redi Radoja, pak javë më parë.

Guljelm Radoja ka lindur në 2 korrik të vitit 1945 në qytetin e Shkodrës. Pas përfundimeve studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) për Dramaturgji në vitin 1972, ka filluar punën si aktor profesionist në Teatrin e Librazhdit.

Ai ka luajtur më shumë se 30 role në kinematografi. Roli i i tij i parë ishte ai i inxhinnierit të pyjeve në filmin “Gjurma” në vitin 1970. Më tej do të vazhdonte në një sërë rolesh të tjera si roli i Tenente Gruabardhit në filmin “Në fillim te verës” në vitin 1975, roli i Stefan Bardhit në filmin “Mësonjëtorja” në vitin 1979, roli i priftit në filmin “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, etj.

Guljelm Radoja është nderuar me titullin “Artist i Merituar”. Ai ishte një ndër aktorët që iu bashkuan kauzës për mbrojtjen e Teatrit dhe mori pjesë vazhdimisht në protestat e organizuara kundër shembjes së tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *