Nënkryetari i LSI-së Vasili ka denoncuar atë që e quan masakër elektorale në Durrës.
Në një deklaratë nga selia e partisë ai tha se manipulimi masiv i votës ka ndodhur gjatë zgjedhjeve dhe po ndodh edhe tani gjatë numërimit.
Ai tha se në vetëm 4 kuti nga qindra që janë për t’u numëruar 20 vota të LSI-së që janë vlerësuar si të pavlefshme i janë dhënë PS-së.
Vasili tha se vetëm disa vota mjaftojnë që mandati i deputetit t’i kalojë LSI-së.
“Të gjithë e keni shumë të qartë, atë që po ndodh me procesin zgjedhor dhe me manipulimin masiv të këtij procesi. Jam këtu para jush për të denoncuar live në kohë reale, atë që po ndodh në Durrës, një masakër e vërtetë elektorale, gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Vetëm në 4 kuti, nga qindra kuti që janë për t’u numëruar, vetëm në 4 kutitë e para janë gjetur rreth 20 vota që i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim, ose që janë vlerësuar të pavlefshme, por që çuditërisht janë numëruar si vota të Partisë Socialiste. Dhe ndodhen aty si vota të Partisë Socialiste. Vetëm disa dhjetëra vota dihet që zhbëjnë rezultatin e Durrësit dhe i japin kandidatit të LSI-së mandatin e deputetit.” – tha Vasili.
Ai shtoi se situata është skandaloze dhe në kufijtë e paligjshmërisë absolute. Ai u bëri thirrje ekipeve ndërkombëtare dhe vëzhguesve ndërkombëtarë si dhe përfaqësuesve të KQZ-së në Tiranë që të monitorojnë të gjitha tavolinat e numërimit.
Sipas Vasili e njëjta gjë ndodh në të gjitha qendrat e votimit dhe pas verifikimit të çdo vote do vihet re masakra elektorale në Durrës dhe mbarë vendin.
“Situata është vërtetë skandaloze, në kufijtë e një paligjshmërie absolute. Ndaj ftoj publikisht operacionet ndërkombëtare dhe vëzhguesit ndërkombëtarë si dhe përfaqësuesit e KQZ në Tiranë që të jenë pjesë dhe të monitorojnë të gjithë tavolinat e numërimit nga afër dhe ta monitorojnë çast pas çasti këtë proces. Ndërkohë procesi i numërimit siç e dini bëhet nul pa një proces transparent ligjor, e ndërkohë ju keni mundësi të ndiqni proces verbalet origjinale ku evidentohen votat të cilat janë futur në zarfet e kandidatëve, vota të pavlefshme të cilat janë konsideruar si vota të PS. Ky proces është i shpërndarë në të gjithë qendrat e votimit dhe monitorimi, verifikimi gjatë numërimit i çdo vote dhe çdo procesverbali do të shikoni sesi do vazhdojë të provojë këtë masakër elektorale që ndërkohë po ndodh në Durrës por që ka ndodhur anë e mbanë vendit. Ju ftoj sërish dhe njëherë monitoruesit ndërkombëtarë dhe KQZ që të mos humbasin asnjë minutë kohë por të nisen drejt Durrësit dhe të verifikojnë në çdo tavolinë numërimi se çfarë po ndodh me votat dhe me të gjithë sistemin mafioz të pavlefshmërisë dhe transferimit të votave ndaj Rilindjes.” – mbyll Vasili deklaratën.