Vendosni fjalën kyçe....

Tritan Shehu kallëzon penalisht 7 kryebashkiakët e Qarkut të Gjirokastrës: Po pengojnë fushatën tonë elektorale


Tritan Shehu i cili kryeson listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Gjirokastrës, ka kallëzuar sot penalisht të shtatë kryetarët e bashkive të këtij qarku.

Sipas Shehut, këta të fundit kanë shkelur ligjin disa herë kryesisht për mos vënien në dispozicion të hapësirave publike subjekteve politike për reklamimin e posterave elektoralë brenda afatit që përcakton ligji.

“Unë jam këtu pranë Prokurorisë së qarkut pikërisht për të depozituar ankesat tona, për ndjekje penale ndaj drejtuesve të pushtetit lokal në të gjithë qarkun, për shkeljen e barazisë në zgjedhje midis forcave politike e koalicioneve, për krijimin e pengesave artificiale për të mos qenë korrekt kundrejt ligjit për të zbatuar detyrimet e tyre që i caktohen dhe janë të domosdoshme në një proces zgjedhor demokratik ndaj PD-së, duke penguar kështu fushatën tonë elektorale e cila është krejtësisht në conform të gjithë parimeve dhe rregullave që ekzistojnë në Shqipëri. Kjo është dosja e parë që dorëzojmë sot, e cila do të pasohet nga një dosje tjetër shumë shpejt.”– deklaroi Shehu.

Shehu tha se edhe drejtues të institucioneve të ndryshme publike, ushtrojnë presion ndaj punonjësve të administratës me qëllim diktimin e votës dhe orientimin e saj në favor të partisë në pushtet.

“Pjesëmarrja hapur e këtyre drejtuesve institucionesh në orarin e punës, është një tjetër shkelje që u rëndon atyre dhe për të cilën do të mbajnë përgjegjësi penale.

Fakte dhe prova konkrete janë dorëzuar sot duke i kapur në flagrancë në shkelje drejtuesit që akuzohen.”- thekson ai. Shehu nuk bëri publike emrat e drejtuesve të institucioneve, por garantoi se ato do të bëhen pulike fill pasi të depozitohen në organin e akuzës.