Vendosni fjalën kyçe....

Administrata, vendorët emëruan 891 punonjës në kundërshtim të ligjit


Në vitin 2020 vendet vakante në administratë për një periudhë kohe, kur sapo shpërtheu pandemia në vend të liheshin bosh në pritje të një momenti të përshtatshëm për të zhvilluar konkurrimet.

Por teksa për administratën qendrore problematikat nuk kanë qenë shumë të larta, për administratën vendore Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil ka konstatuar se janë disa qindra vende pune ku emërimet janë bërë në kundërshtim me ligjin.

“Gjatë mbikëqyrjes u konstatua se në administratën e njësive të qeverisjes vendore, janë rreth 6090 pozicione pune në shërbim civil, që zëne rreth 30% të numrit të përgjithshëm të administratës vendore (rreth 23000 pozicione pune gjithsej).

Janë evidentuar 4611 pozicione, ose 76% e numrit të përgjithshëm të pozicioneve të punës në shërbimin civil, të plotësuara në përputhje me ligjin, nëpërmjet procedurës së konkurrimit ose deklarim statusi, sipas nenit 64, të ligjit nr. 152/2013; 891 pozicione pune, ose 14% e pozicioneve të punës që janë pjesë e shërbimit civil, të plotësuara në kundërshtim me ligjin, nëpërmjet emërimeve të përkohshme duke mos respektuar procedurat e konkurrimit; si edhe 588 pozicione pune të lira, ose 10% e pozicioneve të punës që janë pjesë e shërbimit civil” thuhet në raportin e komisionerit për vitin 2020.

Një tjetër element që sjell në vëmendje Komisoneri është largimi i padrejtë nga puna i nëpunësve të cilët në finale kanë arritur të fitojnë gjyqet dhe kanë kërkuar kthimin në vendin e punës apo kompensimin monetar.

Sipas të dhënave të raportuara nga ky institucion deri në datën 31 dhjetor 2020, për administratën vendore janë evidentuar 222 vendime gjyqësore, në favor të nëpunësve, të cilët kanë fituar të drejtën për tu rikthyer në shërbimin civil.

Sipas raportit në 61 bashkitë e vendit janë evidentuar 143 vendime që kanë marrë formë të prerë, në zbatim të të cilave nëpunësit civilë janë regjistruar në listë pritje dhe ka filluar të likuidohet detyrimi i tyre financiar që rrjedh nga vendimi gjyqësor.

“Për këto vendime njësia përgjegjëse ka vepruar për 50 raste, duke riemëruar nëpunësit gjyq fitues në një pozicion të shërbimit civil dhe rastet e tjera (93 raste) vijojnë ende të jenë në listë pritje. Evidentojmë faktin se nga 61 Bashki të vendit, aktualisht i kanë ekzekutuar të gjitha vendimet gjyqësore 50 prej tyre dhe në 11 institucione vijon procesi”.

Në 12 institucionet këshilla qarku, janë evidentuar 79 vendime që kanë marrë formë të prerë, në zbatim të të cilave nëpunësit civilë janë regjistruar në listë pritje dhe ka filluar të likuidohet detyrimi i tyre financiar që rrjedh nga vendimi gjyqësor.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *