Vendosni fjalën kyçe....

Gazeta Dita publikon dhe procesverbalin e plotë: Kur Genc Ruli spiunonte shokun e ngushtë të fëmijërisë


Partia Demokratike është shprehur në fillim të këtij viti që do të kishte një komision për përzgjedhjen e emrave dhe do të vinte në fushatë me një ekip të denjë për të fituar zgjedhjet.

Një nga ata që u mor me listën e kandidatëve të dalë nga Partia Demokratike është z.Genc Ruli.

Duke qenë se PD e ka shfaqur veten si partia e djathtë kryesore e vendit, pritet që në të të ketë individë që i përkasin mendësisë së djathtë dhe atyre që kanë luftuar për të ndërtuar filozofinë e djathtë, të drejtën e pronës, lirinë, familjen, besimin etj.

A është kështu?

Në vitin 1979, Genc Ruli, është thirrur të dëshmojë kundër shokut të tij Gjergji. Sipas dokumentit ekskluziv të siguruar nga DITA, dëshmia është marrë nga hetuesi Dhimitraq Shkodrani.

Genc Ruli në atë kohë ishte student i Ekonomikut. Sipas dëshmisë së tij ai dhe Gjergji kanë qenë shokë fëmijërie.

Genci dëshmon se Gjergji “dikur ka qenë djalë i mirë, por më pas filloi të kritikonte dhe të ankohej, madje se ka pasur pretendime se lodhej, paguhej pak dhe se nuk lejohej të shkruajë, pasi e ndiente veten me talent”.

Po sipas dëshmisë, Ruli i ka folur dhe i ka kërkuar që të reflektojë edhe se ajo që ka hasur në realitetin jashtë Shqipërisë është bolshevizëm.

Ai i premton hetuesit që do tia dorëzojë edhe dorëshkrimet që shoku ia ka dhënë në mirëbesim.

Ruli, sot demokrat, ka qenë i shqetësuar për pikëpamjet e shokut të tij për kapitalizmin dhe diktaturën.

Dëshmia e plotë e Genc Rulit botuar sot nga DITA

PROCES – VERBAL

/ Dëshmije /

Në Tirane më 9 / V / 1979

Unë hetuesi Dhimitraq Shkodrani mora në pyetje me cilësinë e dëshmitarit Genc Rulin, i biri i Pëllumbit dhe i Fatimes, i datëlindjes 1958, lindur dhe banues në Tiranë në lagjen 5, Rr. Konferenca e Pezës ap. 7 shkall.1, pa parti, i pa dënuar, student në vitin e dytë të Ekonomikut me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare.

Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 202 të K.P. për dëshmi të rreme.

DËSHMITARI

Dëshmitari u pyet rreth çështjes dhe deklaroi:

Unë me Gjergj ‘ecin njifem qysh në femini, kemi qenë së bashku në shkollen 8 vjecare dhe gjatë gjithë kohës kemi patur shoqëri me njeri tjetrin. Marrëdhëniet i kam patur të mira. Në gjimnaz kemi qenë në klasat paralele. Gjergji deri në vitin e tretë të gjimnazit ka qenë nxënës i mirë, studjonte dhe kishte ambicje për të marr nota të mira. Në vitin e tretë të gjimnazit Gjergji fillojë që të dalë nga binarët, shoqeroheshe me nxenëse të dobet, me sportiste dhe ia kishte varur plotesisht shkolles. Unë më poshtë do të pasqyroj pikëpamjet armiqësore të Gjergj ‘ecit (mbiemri nuk lexohet) dhe se si i kam luftuar unë ato pikëpamje…

-Në vitin 1978, Gjergji filloi punën si magazinier në Ujësjellës. Në fillim e kishte me qefë kurse me vonë, ai filloj që të më ankoheshe duke më thënë se lodhem shumë, i kam thënë se ti nuk ke punuar ndonjëherë prandaj edhe ankohesh kështu. Ai mua më ka thënë se rrogën që merr punëtori tek ne është e vogël, nuk përballon dot jetesën e tij, kurse punëtori që është jashtë shtetit merr rrogë të madhe. Unë i kam thenë ti mos u nis nga rroga që merr puntori jashtë shtetit por nisu nga ajo që cfarë nevoja plotëson puntori me atë rrogë që merr, i kam bërë ekonomi politike duke i there se çfarë është paga nominale.  Ai më fliste se puntorët jashtë shtetit bëjnë qefe dhe marrin shumë pare, i kam thënë se ti mundet që të kesh parë në televizor punëtorët por ata janë aristokracija e klasës puntore dhe nuk është klasa reale që punon. Kështu që unë pikëpamjen se puntori në vendin tonë merr pak dhe puntori jashtë shtetit merr shmë ja kam shpjeguar në mënyrë të drejtë.

-Gjergji në bisedat që ka bërë me mua më ka thënë se këtu në Shqiperi ka diktaturë, njerëzit nuk janë të lirë të bëjnë çfarë të duan, biles më kujtohet kur une po lexoja nga “Marksi veprat e zgjedhura Gjergji më ka thënë se Marksi ka thënë: “se komunizmi presupozon një zhvillim të lirë dhe të gjithanshëm të individit”. Këtë citat të Marksit Gjergji e intepretonte shume keq, thonte se ky parim i Marksit nuk zbatohet në vendet socialiste, për faktin se këtu nuk ka liri veprimi individi, por ëshhtë i detyruar të bëjë çfarë i thonë.

-Po gjithashtu Gjergji më ka thënë se unë jam për një liri veprimi të pakufizuar, unë ja kam kundërshtuar edhe këtë mendim duke i thënë se lirija e individit kondicionohet nga lirija e kolektivit. Kur unë ja kam kundërshtuar mendimet e tija armiqësore ai me thoshte se unë nuk mund ti ndërgjegjësojë ato cfarë thua ti.

Gjergji më ka thënë mua se unë kam talent për të shkrojtur por nuk ma njef njeri se nuk ke mundësi që të shkruash dhe as që nuk mi botojnë ato çfarë do të shkruaj unë.

– Gjergji më ka thënë mua se perse ne themi që B.S. po shkon në kapitalizëm kur atje nuk ka pronë private, domethënë se qeverija jonë nuk flet të vërtetën për këtë çështje. Unë edhe këtë mendim ja kam kundërshtuar duke i thënë se B.S ka degjenruar si shtet socialist dhe i kam thënë një shembull se një drejtor atje merr shumë herë më shumë se sa një punëtor.

-Gjergji kishte mendimin se në vendin tonë ka diktature të fortë dhe nuk duhet që të jete kështu, më thoshte se këtu të fusin në burg për një fjale goje. Une ia kam kundërshtuar mendimin duke i thënë se kjo është diktatura e klasës dhe kjo dikaturë bie mbi pakicën, por megjithatë Gjergji kishte mendimin se këtu ka diktaturë.

-Gjergji ka patur shoqëri me Valer Dyrzin dhe Mustafa Korçën, mua këta nuk më pëlqenin dhe me sa më kujtohet në një rast në vitin 1978 në muajin qershor, kur ai kishte marrë rrogën më ka qerasur dhe kur kemi bërë xhiro i kam thënë se përse shoqerohesh me Valer Dyrzin dhe Mustafa Korëën, ata janë njerëz jo të mirë .

-Mandej Gjergji se ka thënë se unë kam shoqëri me ta Mustafai dhe Valeri kanë talent ne që të tre kemi biseduar për t’u arratisur se duke qenë jashtë shtetit me këto talente që kemi do të cajmë në jetë, se jashtë shtetit po të kesh talent shkon përpara. Më tha si Muçi ashtu dhe Valeri kanë propozuar për tu arratisur jashhtë shtetit, unë në fillim ju ngurova atyre por më vonë rashë dakord edhe unë që të arratisesha me ta.

Për këtë i kam thënë se më vjen keq që ti e ke menduar këtë gjë, të lësh atdheun nuk ka poshtëri më të madhe.

-Për cështjen e fesë Gjergji më ka thënë se ekziston një forcë e mbinatyrshme që e nxit njeriun që të bëjë diçka. I thashë se nuk është ashtu si thua ti, nuk ekziston një fuqi e mbinatyrshme, ti po na shpie në mesjetë, për këtë i kam dhënë librin “Dialektika e natyrës” për ta lexuar.

-Gjergji ka shkruajtur dhe disa mendime për lumturinë, ç’është muzika, ç’është mendimi etj si këto. Këto dorëshkrime të tij i kam në shtëpi dhe do ti sjellë.

-Më datën 3 janar 1979 Gjergjin e kanë marrë ushtar dhe unë e kam përcjellë, kemi bërë muhabet ushtrie dhe më ka thënë se tashti që unë vendosa të vazhdoj shkollën e natës, tashti po më marrin ushtar, kjo gjë nuk i pëlqente. E kam këshilluar duke i thënë se në ushtri duhej të sillej mirë, se në punë e ke shtyrë si e ke shtyrë, kurse në ushtri nuk të fal njeri. Pas një jave unë i kam shkuar në repartin ku e kishin caktuar dhe ai më ka thënë se fillova mirë, kam ca shokë tiranas, që më ndihmojnë, mundet që të punojë si dizenjator.

Me sa më kujtohet përpara se Gjergjin ta merrnin ushtar, kanë marr Mustafa Korçën në ushtri dhe e kanë caktuar në Korçë kur jam takuar me Gjergjin i cili ishte me disa shokë dhe talleshin se Muçi kishte qethur kokën. Mandej më ka thënë Gjergji se kam frikë se Muçi do të arratiset dhe do ta hamë dhe ne.

Procesverbali m’u lexua, thëniet e mia ishin shkruajtur drejtë të cilat i vërtetoj me firmën time.

Genc Ruli, firma

Më poshtë, faksimile e dokumentit publikuar nga DITA:

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Gazetës Dita


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *