Vendosni fjalën kyçe....

Rama për mitingjet e Bashës: Dalin si dasmorë me dy gishta duke krijuar vatra të reja infektimi, s’mund të sakrifikohet shëndeti i askujt


Në daljen e tij për mediet në Shkodër, ku po monitoron procesin e vaksinimit, kryeministri Edi Rama ka folur dhe për mitingjet e rivalit të tij Lulzim Basha, të cilat kanë patur një pjesëmarrje masive. Qoftë në Shkodër, Kavajë apo Lezhë.

I pyetur nga gazetarët nëse po bëhet më i vështirë menaxhimi i pandemisë për shkak të sjelljes së partive politike në kohë fushate, Rama tha që të mos i fusin të gjithë në një thes ndërsa thumboi demokratët se dalin “si dasmorë me dy gishta” duke rrezikuar të tjerët dhe duke krijuar një vatër potenciale të koronavirusit në mes të qytetit.

“Jo nuk janë sjelljet e partive politike sepse zakoni për ti futur të gjithë në një thes është një sjellje e vjetër. Nuk ka lidhje fare sepse janë partitë e KÇK-së që dalin bashkë me dhëndrrin përpara dhe gjinden spontanisht, dalin disa dasmorë me flamuj me dy gishta, me ulërima edhe krijojnë një vatër potenciale infektive mu në mes të qytetit.

Këto janë gjëra që duhen shmangur, sepse kjo është sfida e sfidave sepse nuk ka as parti, as terminal elektoral dhe nuk ka asnjë lidhje me dallimet që ne kemi si çdo shoqëri tjetër në një botë normale.”– tha Rama.

Ai theksoi se kjo është një sfidë për shëndetin dhe se nuk mund të sakrifikohet shëndeti i askujt, ndërsa u bëri thirrje mbështetësve të Bashës që të ruajnë veten.

“Kjo është sfidë për shëndetin, nuk mund të rrezikohet, nuk mund të sakrifikohet shëndeti i askujt dhe mbi të gjitha të gjithë ata që bëjnë dasmorët duhet të ruajnë veten dhe të ruajnë të tjerët, sepse këto histori me dy gishta, flamuj bori e ulërima janë histori të viteve 90 dhe përsëriten sa herë vijnë zgjedhjet a thua se këtu nuk ka ndryshuar asgjë. Faktikisht ata s’kanë për të fituar sepse kjo është arsyeja për të cilën ata humbën.”– shtoi kryeministri.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *