Vendosni fjalën kyçe....

Makina e tij u shtyp nga kamioni, kush është studiuesi që humbi jetën në mbrëmë në Shkodër


Të tjera detaje zbulohen nga aksidenti tragjik i mbrëmjes së kaluar që ndodhi pranë kryqëzimit të Dajçit, në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, ku humbi jetën një 55-vjeçar. Viktima mësohet se është studiuesi Eduard Grishaj.

Makina e tij u përplas mbrëmë me një kamion dhe përplasja ka qenë aq e fortë sa makina është shtypur e gjitha poshtë kamionit duke u shkatërruar plotësisht.

“Rreth orës 20:00, në aksin rrugor Lezhë-Shkodër ,në vendin e quajtur ‘Kryqëzimi i Dajçit’, mjeti tip ‘Benz’ është përplasur me mjetin kamion, ku për pasojë ka ndërruar jetë në vend drejtuesi i mjetit tip ‘Benz’ ende i paidentifikuar.

Drejtuesi i kamionit shtetasi T.M.,është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme.”– thuhej në njoftimin e mbrëmshëm të policisë, kur viktima nuk ishte identifikuar ende.

Lidhur me aksidentin tragjik ka reaguar kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.

“Një lajm shumë i trishtë sonte! Një koleg dhe mik sot u nda nga jeta në një aksident të rëndë.
Eduart Grishaj, një intelektual, me kontribut për kujtesën, kulturën dhe artin në Shkodër, do ti mungojë familjes, miqve e Shkodrës.
Largimi i papritur dhe shumë i parakohshëm nga jeta, na ka hidhëruar të gjithëve.
Ngushëllime familjes, të afërmëve. Pushofsh në paqe Edi!”- shkruan zonja Ademi.

Ish-deputetja e PD-së, Izmira Ulqinaku, ka reaguar gjithashtu, duke thënë se Grishaj nuk do harrohet kurrë për kontributin e tij në demostratën antikomuniste të 2 prillit.

Grishaj ishte studiues dhe përgjegjës i fondit Pipa në Bibliotekën e Muzeut Historik Shkodër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *