Vendosni fjalën kyçe....

AstraZeneca, i zoti e shet tellalli s’e jep


Nga Çapajev Gjokutaj

Ka diçka kontraversale: shkencëtarët thonë se nuk ka prova bindëse që astrazeneca shkakton tromboza, politikanët nxitojnë të pezullojnë përdorimin e saj; institucione të populluara nga shkencëtarë si OBSh deklarojnë se dobitë e kësaj vaksine i tejkalojnë dukshëm rreziqet potenciale, por shumë shtetete të BE- së, përfshirë dhe Gjermaninë e Francën, kanë pezulluar përdorimin e saj. Gjithë kjo kundërvenie të kujton proverbin ‘i zoti e shet, tellalli s’e jep’.

Intuita të thotë se, kur shkencëtarët dhe politikanët mbajnë qendrime të kundërta, duhet të besosh shkencëtarët. Dhe kjo për shumë arsye. Shkencëtarët janë të prirur të zbulojnë të vërtetën dhe flasin me gjuhën e fakteve, politikanët synojnë ndikimin e qytetarëve, ndaj në një pjesë të konsiderueshme të rasteve bëjnë retorikë a, më keq akoma, propagandë.

Që të bindesh për dallimin mes politikanëve dhe shkencëtarëve mjafton të kujtosh ç’ka bërë secila palë gjatë vitit të pandemisë. Shkencëtarët ndanë informacionin për genomin e virusit dhe iu futën punës për krijimin e vaksinave. Në një kohë rekord arritën prodhimin e disa vaksinave pas gjasash mjaft efikase, por edhe të ndryshme në themel nga vaksinat e derisotme. Opinioni i përgjithshëm thotë se kemi të bëjmë me një revolucion në vaksionologji realizuar shumë shpejt.

Politikanët bënë të kundërtën, praktikuan e po praktikojnë atë që po quhet ‘nacionalizmi i vaksinave’. Me moton ‘o Mete për vete’, qeveritë e vendeve të pasura kanë kontraktuar dhe po marrin gjithë sasinë e vaksinave në treg. Kjo qasje tahmaqare është jo vetëm nacionaliste, por edhe dritëshkurtër: nëse nuk vaksinohen me përparësi grupet e rrezikuara në gjithë botën, virusi do vazhdojë të qarkullojë globalisht, mutacionet do jenë të shumta e stoku i vaksinave në vendet e pasura mund të bëhet jo efikas. Me një fjalë, ku ishe hiçgjëkundi.

Ka edhe një arsye tjetër, më konkrete, e cila të shtyn që për astrazenecën të besosh shkencëtarët. Është e vërtetë që në vendet, të cilat po përdornin këtë vaksinë ka rreth tridhjetë raste komplikacionesh që lidhen me mpiksjen e gjakut, por nuk ka asnjë provë se këto komplikacione janë shkaktuar nga astrazeneca. Po të qe kështu, thonë shkencëtarët, në 17 milionë europianë që kanë përdorur këtë vaksinë do të duhej të kishte jo 30 por mijëra raste trombozash e anomalish gjaku.

Kundërvenia e politikanëve me shkencëtarët për astrazenekën rezulton dukshëm e mprehtë, ndaj është bërë shkak spekulimesh që flasin për luftë tregtare mes firmave farmaceutike. Argumentet që sillen për këtë janë të tërthorta: astrazeneca është vaksinë më e menaxhueshme, shumë më e lirë se simotrat e deritanishme perëndimore, më e pranueshme nga publiku ngaqë mbështetet mbi rrugën tradicionale, dmth injekton viruse të dobësuara dhe nuk paraqet trajtim genetik si shumica e të tjerave.

Veç luftës tregtare flitet edhe për interesa gjeopolitike që lidhen me synimet e rusëve dhe kinezëve për të hyrë në tregun e lakmuar të vaksinave anticovid etj.

Duke qendruar jashtë spekulimeve dhe, larg qoftë, teorive të konspiracionit, një gjë duket e padiskutueshme: BE është e vonuar në vaksinimin anticovid dhe herët a vonë politikanët e saj do të duhet të përgjigjen. Nuk është e rastit që këto ditë ‘Der Spiegel’ kërkonte dorëheqjen e Merkel.

‘Le Monde’ vinte në dukje dje ndryshimin mes qasjes së burokratëve të BE-së dhe atyre amerikanë e britanikë duke shtuar se pezullimi i vaksinës astrazeneca nuk do të jetë pa pasoja, imuniteti kolektiv do të arrihet më vonë, vdekjet do të jenë më të shumta dhe kosto ekonomike më e madhe. Nuk bën të harrojmë se vaksinimi mbetet zgjidhja e vetme për të kapërcyer këtë pandemi, përfundonte prestigjozja franceze.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *