Vendosni fjalën kyçe....

Tritoli në makinën e prokurorit Arjan Muça, Meta: T’i garantohet mbrojtja e posaçme për të dhe familjen e tij



Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar lidhur me shpërthimin me bombë në makinën e prokurorit, Arjan Muça në Tiranë.

Meta e ka konsideruar atë një akt kriminal ndërsa u bën thirrje institucioneve se duhet t’i garantojnë prokurorit dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Meta bën thirrje për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

“Dënoj me forcë aktin kriminal ndaj funksionarit të sistemit të drejtësisë, Prokurorit Arjan Muça.

Duke mbështetur plotësisht vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për sigurinë e tij, u kërkoj institucioneve të ngarkuara nga ligji të garantojnë mbrojtjen e posaçme për Prokurorin Muça dhe familjen e tij.

Organi i akuzës dhe të gjithë agjencitë ligjzbatuese e të sigurisë duhet të angazhohen maksimalisht për të zbardhur sa më parë ngjarjen dhe identifikuar autorët.

Çdo sulm apo intimidim ndaj funksionarëve të Drejtësisë duhet të marrë ndëshkimin më të ashpër ligjor.”- thotë presidenti Meta.

Dy ditë më parë, prokurorit Arjan Muça iu vendos tritol në mjetin e parkuar në minus dy kate brenda një qendre tregtare në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë.

Arjan Muça aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe merret me dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që kalojnë në Vetting. Ndërkohë bashkëshortja e tij është gjyqtare te Gjykata Administrative e Tiranës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *