Vendosni fjalën kyçe....

E kthyen banesën në ‘shtëpi bari’, arrestohet çifti në Vorë (VIDEO)


Një çift bashkëshortësh në Vorë janë vënë në pranga pasi kultivonin bimë narkotike në banesën e tyre.

Policia njofton se ka arrestuar çiftin K.Z, 34 vjeç dhe A.Z 31 vjeç, pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata e kishin përshtatur banesën e tyre për kultivimin e bimëve narkotike.

Uniformat blu kishin patur dyshime për çiftin e bashkëshortëve, pas denoncime që i kishin mbërritur nga qytetarët.

Pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tyre, u gjetën dhe u sekuestruan 3.6 kg kanabis, 9 fidanë kanabis të kultivuar, fara kanabisi di dhe pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike.

DETAJET E POLICISË

Finalizohet operacioni antikanabis i koduar “Vila”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Vorë.

Kishin përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike, vihet në pranga çifti i bashkëshortëve.

Sekuestrohen 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, fidanë narkotikë të kultivuar, fara kanabisi, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike, një sasi me lëndë të dyshuar heroinë dhe sende të tjera të kundërligjshme. 

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga qytetarët, pas një pune hetimore disajavore, finalizuan operacionin antikanabis të koduar ”Vila”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:

  1. Z., 34 vjeç dhe A. Z.(D.), 31 vjeçe, banues në Vorë (bashkëshortë).

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së tyre me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike.

Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, 9 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar, pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme. 

Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e  narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar te Policia dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.