Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Zgjedhjet e 25 Prillit vendosin fatin e Drejtësisë në Shqipëri


Kryeministri Edi Rama ka folur sot për Drejtësinë, duke prezantuar programin “Drejtësia që duam”. Sipas tij, zgjedhjet e 25 prillit lidhen në radhë të parë me fatin e drejtësisë në Shqipëri.

“Më dëgjoni me shumë vëmendje ju lutem, këtë që po përpiqem t’ju them sot. Këto zgjedhje lidhen në radhë të parë me fatin e drejtësisë në Shqipëri për një kohë të gjatë pas 25 prillit, mbase për më shumë se një dekadë të tjerë. E di që jeni lodhur duke pritur me dekada drejtësinë që meriton dhe që ne shumica e sotme, PS duam për Shqipërinë, për çdo qytetar të këtij vendi, që unë dua për fëmijët tanë pa dallim në radhë të parë.”– tha Rama.

Kryeministri tha se ky që vjen është mandati i tretë për të nëse fiton, ndërsa për Berishën, Bashën, Metën dhe Kryemadhin do të ishte i pesti nëse do të fitonin. Ai tha se sa herë fitojnë ata, Shqipëria humb.

“Të gjithë ju motra e vëllezër, zgjedhës të çfarëdo kahje diskutoni përditë e më shumë me njeri-tjetrin për zgjedhjen që duhet të bëni në 25 prillin që po afron. A duhet të më jepni mua dhe PS-së një mandat të tretë apo duhet të rimerrni në drejtimin e vendit ata që kanë qenë me vite aty deri para 42 muajsh. Në fakt ky që vjen është mandati i tretë për mua dhe PS dhe mandati i 5 për Saliun, Lulin dhe PD-në. Pa harruar se është dhe mandati i 5 për Ilir dhe Monikën, herë me PS, herë me PD, prapë me PS, prapë me PD, gjithnjë me të njëjtin avaz.

Sa herë fitojnë ata Shqipëria humb. Shqipëria është më mirë se dje, por ende ajo që ju doni dhe as ajo që unë dua. Prandaj kërkoj mandatin e tretë se po të ndihesha i kënaqur do ndalesha këtu. S’mund t’i lëmë në mes këto punë. Nuk ka diskutim që kemi bërë progres në këto 7 vite, por ky progres nuk mjafton. Në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, bujqësi, siguri, në ekonominë e familjes së zakonshme shqiptare jo e jo.

Ky progres mjafton për garancinë se ne e dimë ku duam të arrijmë. Jam i vetëdijshëm se në të gjitha fushat që lidhen drejtpërdrejt me jetën tuaj, me kujdesin për të sëmurët, apo të moshuarit ka akoma sa të duash probleme për të zgjidhur dhe halle për t’u adresuar, por dua që të gjithë së bashku të jemi të vetëdijshëm njësoj si për dritën e mëngjesit se teksa koha kalon, e ardhmja që duam nuk ndërtohet as me receta çudibërëse elektorale, apo as me rikthimin e fantazmave të së shkuarës në pushte. Por ndërtohet me besim të palëkundur tek Shqipëria dhe me punë të palodhur.”- deklaroi Rama.

Gjatë fjalës së tij, ai akuzoi presidentin Ilir Meta se ka sulmuar reformën në Drejtësi të qeverisë, ndërsa e konsideroi si një nga personat më të trembur nga reforma. Atë dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *