Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi akuza policisë e prokurorisë: Po kërcënojnë kandidatët e opozitës në Elbasan


Kryetarja e LSI-së ka akuzuar policinë e prokurorinë se po ushtrojnë presion ndaj kandidatëve të opozitës.

E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, Kryemadhi i bëri thirrje Këshillit të Lartë të Prokurorisë që të rishikojë emërimet në prokurorinë e Elbasanit, pasi po e përdorin atë si mjet kërcënimi ndaj kandidatëve të opozitës.

“Edhe presioni i Policisë së Shtetit ndaj kandidatëve të opozitës është jashtëzakonisht i madh, por edhe i Prokurorisë. Dhe këtu përfitoj nga rasti për t’i bërë thirrje Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që të rishikojë emërimin e prokurorit të Elbasanit, i cili po përdor Prokurorinë e Elbasanit si element kërcënimi ndaj kandidatëve, për t’i hapur rrugën vëllait të tij Besjan Ajazi, këshilltarit të Taulant Ballës, i cili do të kandidojë për deputet në rrethin e Gramshit. Ka bërë veprime të shëmtuara, por edhe të jashtëligjshme. Ndoshta ky do të jetë një moment shumë i mirë, qoftë edhe konflikt interesi, ai njeri duhet të largohet nga qarku i Elbasanit si prokuror i prokurorisë. Sepse turp më të madh sesa instrumentet e Prokurorisë së qarkut të Elbasanit, apo dhe të policisë, e në emër të Taulant Ballës, do të më vinte shumë keq dhe do të ishte një zhgënjim shumë i madh nga institucionet ndërkombëtare,  të cilët kanë harxhuar para pafund për të depolitizuar sistemin e drejtësisë. Jo vetëm që nuk e kanë depolitizuar, por përkundrazi u kanë dhënë teserën e partisë së Rilindjes.” – tha Kryemadhi.

Ajo shtoi më tej se kreu i qeverisë në vend që të shqetësohet për LSI-në, mund të përqendrohet te kriza e thellë ku ndodhet vendi e te administrimi i pandemisë Covid-19.

“Unë nuk shikoj ndonjë qamet të madh. Shikoj një shterim të mendimit politik të kryeministrit në ikje. Përveç kësaj shikoj një mungesë qartësie të mendimit dhe logjikës politike të një kryeministri apo kryetar i partie i cili është në një periudhë fushate. Nuk mendoj se aty ka krijimin e hapësirave të reja pune për shqiptarët apo sistem arsimor. Apo të fliste për pandeminë. Nuk mendoj që sot shqiptarët po vdesin për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor, se pse presidenti nuk njofton Edi Ramën se ku do të ikë për të kaluar një fundjavë. Nuk shqetësohem unë që jam bashkëshortja e Ilir Metës që nuk tregon se ku po ikën dhe shqetësohet kaq shumë Edi Rama.” – tha Kryemadhi.

Lidhur me akuzat e kryeministrit në drejtim të presidentit, kryetarja e LSI-së tha se nuk është e vërtetë se ai ka braktisut institucionin që drejton dhe se Meta është në krye të detyrës.

“Nuk mendoj që Presidenti ka braktisur institucionin e Presidencës, kuptoj që është institucioni i vetëm që kthen projektligje që cenojnë integritetin dhe sovranitetin, interesat e shqiptarëve. Jo vetëm që është në krye të detyrës por edhe shumë vigjilent sa i përket grabitjes që do t’i bëjë rilindja shqiptarëve dhe Shqipërisë.” – shtoi Kryemadhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *