Vendosni fjalën kyçe....

Hakerët e Koresë së Veriut u përpoqën të vidhnin të dhënat e vaksinës së “Pfizer”-it


Hakerat nga Koreja e Veriut janë përpjekur të vjedhin informacione mbi vaksinën e komoanisë “Pfizer” kundër Covid-19, sipas agjencisë së inteligjencës së Koresë së Jugut.

Gjatë pandemisë së koronavirusit, ka patur një rritje të spiunazhit dixhital që synon trupat shëndetësorë, shkencëtarët e vaksinave dhe prodhuesit e ilaçeve ndërsa grupet e hakerave të mbështetura nga shteti përpiqen të sigurojnë informacionin më të fundit në lidhje me virusin.

Siç shkruan Reuters, Ha Tae-keung, i cili është një anëtar i opozitës i panelit parlamentar të inteligjencës në Korenë e Jugut, tha se gjigandi farmaceutik ishte midis atyre që u hakuan në përpjekjen për të vjedhur informacione mbi vaksinat dhe trajtimet.

“Pati përpjekje për të vjedhur vaksinën kundër COVID-it dhe teknologjinë e trajtimit gjatë sulmeve kibernetike dhe Pfizer u hakua.”– tha ai.

Duke folur para gazetarëve në një konferencë nga agjencia, Ha nuk dha hollësi për kohën kur ka ndodhur kjo apo nëse përpjekja për të vjedhur të dhënat e vaksinës kishin rezultuar të suksesshme.

Ky lajm vjen pas përpjekjeve të vitit të kaluar nga hakera të dyshuar të Koresë së Veriut për të hyrë në sistemet e të paktën nëntë firmave të kujdesit shëndetësor, të tilla si Johnson & Johnson, Novavax Inc dhe AstraZeneca.

Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) i Koresë së Jugut ka thënë se kishte prishur përpjekjet e fqinjit të saj për të sulmuar firmat e Koresë së Jugut që zhvillonin vaksinat e koronavirusit.