Vendosni fjalën kyçe....

Numri i llogarive bankare bie për të katërtin vit radhazi, tkurrja nga bizneset


Numri i llogarive bankare pësoi rënie për të katërtin vit radhazi në vitin 2020. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se numri total i llogarive bankare në fund të vitit ishte rreth 2.96 milionë, nga 2.98 milionë në fund të vitit 2019.

Numri i llogarive ka pësuar rënie si për individët, ashtu edhe për bizneset rezidente, ndërkohë që një nga segmentet e pakta ku numri i llogarive bankare është shtuar është ai i individëve jorezidentë.

Numri i llogarive bankare në Shqipëri arriti numrin më të lartë në vitin 2016, me pothuajse 3.5 milionë. Që atëherë, ka pësuar rënie të vazhdueshme. Konsolidimi i sektorit bankar dhe ulja e numrit të përgjithshëm të bankave mund të jetë një faktor që ka ndikuar në këtë drejtim. Megjithatë, ulja e numrit të llogarive bankare është një zhvillim deri diku paradoksal, po të kemi parasysh se depërtimi i shërbimeve bankare në Shqipëri ka ende potenciale të konsiderueshme rritjeje.

Pandemia e Covid-19 besohet se ka ndikuar në uljen e numrit të llogarive për vitin 2020. Mbyllja e bizneseve dhe ulja e punësimit mund të supozohet se kanë sjellë edhe pakësim të llogarive bankare për individët dhe bizneset e mbyllura. Për shembull, numri i llogarive të biznesit u pakësua me rreth 4 mijë njësi vitin e kaluar. Rënia erdhi menjëherë pas rritjes së ndjeshme të vitit 2019 dhe që u përcaktua nga detyrimi për pajisje me llogari bankare i të gjitha bizneseve të regjistruara në skemën e TVSH-së. Kjo e çoi numrin e llogarive të biznesit në nivelin më të lartë historik prej mbi 225 mijë në fund të vitit 2019; por, një vit më vonë, numri i llogarive të biznesit ra sërish në 221 mijë.

Megjithëse numri i llogarive bankare në Shqipëri mbetet ende pak më i lartë në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullsisë, anketimet kanë treguar se vetëm rreth 40% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë një llogari bankare. Individët që përdorin shërbime bankare zakonisht kanë disa llogari, të lidhura me llojet e ndryshme të produkteve që përdorin, si llogari rrjedhëse, depozita apo kredi. Por, nga ana tjetër, shumë individë që nuk kanë marrëdhënie pune të formalizuara, sidomos në zonat rurale, ende sot nuk kanë një llogari bankare.

Për të adresuar këtë problem, Banka e Shqipërisë pritet të hartojë një projektligj për llogarinë bazike të pagesave, që do të reflektojë direktivën përkatëse të Bashkimit Europian. Direktiva parashikon që çdo individ të ketë akses në një llogari bankare bazike pagesash, pa kosto ose me kosto simbolike.

Gjatë viteve të krizës, fakti është se një pjesë e bankave kanë rritur gradualisht komisionet e mirëmbajtjes së llogarive bankare dhe shumica tashmë iu ngarkojnë klientëve të paktën 1 euro në muaj për këtë shërbim. Përjashtim bëjnë vetëm kategori të veçanta, si pensionistët, për të cilët disa banka e ofrojnë shërbimin pa komision.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *