Vendosni fjalën kyçe....

Pezullohet nga detyra kardiokirurgu dhe infermierja e QSUT-së – Rasti tjetër që u zbulua nga hetimet e SPAK-ut për funksionarët e Krujës


Operacioni i SPAK-ut që çoi në pranga gjyqtaren e Krujës Enkeleda Hoxha, avokatin Alto Tabaku, eksperti mjeko-ligjor Shkëlqim Korbi dhe funksionarë të tjerë të drejtësisë ka nxjerrë në pah dhe një formë tjetër korrupsioni pas të cilit janë pezulluar nga detyra një mjek dhe një infermiere në QSUT.

Sipas njoftimit të SPAK-ut është pezulluar nga detyra mjeku kardiokirurg i QSUT-së Edvin Prifti si edhe infermierja e QSUT-së Trendafile Frangu.

Emrat e tyre dolën pas hetimeve të SPAK për rastin e lirimit të një të dënuari me 25 vite burg në Fushë-Krujë, ngjarje për të cilën u arrestuan 10 persona mes të cilëve edhe gjyqtarja Enkeleda Hoxha si dhe një mjek, Shëlqim Korbi.

Edhe pse Prifti dhe Frangu nuk kishin lidhur me rastin për të cilin u arrestuan funksionarët e drejtësisë dhe eksperti mjeko-ligjor, prokurorët shkuan tek rasti i tyre për shkak të lidhjes me një nga personat e arrestuar gjatë operacionit, sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallkuçi.

Kjo e fundit i ka dhënë ryshfet mjekut Edvin Prifti me qëllim që ky i fundit të operonte nënën e saj. Ndërsa infermierja akuzohet se ka ushtruar ndikim “të paligjshëm në funksionarët publikë”.

“Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu edhe se e hetuara Manuela Mallkuçi i ka dhënë drejtpërdrejt përfitim të parregullt shtetasit Edvin Prifti, me qëllim që ky i fundit të bënte operacion mamanë e saj. Në këtë skemë të kundraligjshme janë përfshirë dhe shtetaset Trendafile Frangu dhe Migena Skenderi, të cilat kanë konsumuar elementët e veprave penale ‘Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike’, parashikuar nga neni 245/2 i Kodit Penal.”- thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Manuela Mallkuçi është sekretarja gjyësore që u arrestua mes dhjetë zyrtarëve të tjerë sot në Krujë mbi skemën për lirimin e të dënuarve në burgun e Fushë-Krujës, të cilët përfitonin ulje dënimi kundrejt dhënies së përfitimit të parregullt.

Të dënuarit kujdeseshin fillimisht që si mbrojtës të tyre të zgjidhnin avokatin Aldo Tabaku dhe ky i fundit falë marrëdhënies që kishte krijuar me gjyqtaren Enkeleda Hoxha, mundësonte që të dënuarit të përfitonin uljen e dënimit, kundrejt shumave të parave të dhëna si përfitim i parregullt. (Kjo bëhej kundrejt përfitimit të parregullt të shumave që shkonin nga 6 deri 12 000 euro).

Sekretarja gjyqësore Emanuela Mallkuçi, akuzohet se në një rast ka siguruar që kërkesa e të dënuarit të kalonte për shqyrtim tek gjyqtarja Enkelda Hoxha./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *