Vendosni fjalën kyçe....

Me 30 kilogramë marijuanë në formë çokollate brenda makinës, dy të arrestuar në Durrës


Policia ka sekuestruar një sasi prej rreth 30 kilogramë marijuanë në formë çokollate në qytetin e Durrësit.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Kritikal“, policia thotë se arrestoi shtetasin me inicialet  E.B, 42 vjeç nga Tirana. Po kështu dhe bashkëpunëtorin e tij shtetasin me iniciale E.C.

Sipas policisë, lënda narkotike ishte e ndarë në 77 pako, me peshë 30.640 kilogramë.

DETAJET E POLICISË

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së informacionit, kanë ndaluar në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave”, mjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin E. B. Gjatë kontrollit në bagazhin e këtij mjeti u konstatuan 77 pako me lëndë narkotike të dyshuar marijuanë në formë çokollate, me peshë 30.640 kg.

Gjithashtu, në momentin e kapjes në flagrancë të shtetasit E. B., shërbimet kanë ndjekur dhe kanë ndaluar mjetin tip “Audi”, me drejtues shtetasin F. C., i cili gjatë hetimeve ka rezultuar se ka bashkëpunuar me shtetasin E. B., duke e informuar atë për prezencën e shërbimeve të Policisë në rrugë.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë edhe shtetasi F. C., 41 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet ka rezultuar se sasia e lëndës narkotike të kapur nuk është prodhuar në Shqipëri, por është trafikuar nga një vend tjetër.

Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.