Vendosni fjalën kyçe....

“E papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme, e kam dhe për të PS-së” – Rama kritikon politikanët për mbledhjet me mbi 10 persona


Pasi tha që kemi sinjale të arsyeshme se në Shqipëri kanë hyrë variantet e modifikuara të koronavirusit., kryeministri Edi Rama kritikoi mbledhjet e partive.

Ai tha se këto kritika po i bën jo vetëm për politikanë të opozitës por edhe të partisë së tij, duke e konsideruar një veprim të papërgjegjshme për shkak të situatës së jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi dhe bota për shkak të pandemisë.

Rama tha se duhen marrë masa që një gjë e tillë të mos vijojë në përkeqësimin e rasteve ditore, që sipas tij janë rritur shumë këtë javë.

“Natyrisht masat që janë në fuqi, në këndvështrimin e ekspertëve të Komitetit Teknik funksionojnë, por që të funksionojnë duhen respektuar siç duhet.

Ka qenë një qasje më shumë sensibilizuese dhe mirëkuptuese sesa repressive, mirëpo mesa duket nga çfarë konstatohet prej autoriteteve të shëndetësisë që janë në terren, në javët e fundit vihet re një rënie e angazhimit të qytetarëve, duke filluar nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë. Duke vazhduar me zbatimin e rregullave të vendosura për njësitë tregtare dhe natyrisht me ato eksese të patolerueshme në lokale të caktuara apo qoftë edhe nga politikanët dhe këtu me politikanët do ta bëj shumë të qartë se nuk kam parasysh vetëm ata që i përkasin partive të tjera, por edhe ata të cilët janë pjesë e Partisë që unë drejtoj dhe shkelin rregullat duke u mbledhur në salla e dhoma me më shumë persona sesa numri i përcaktuar nga Komiteti Teknik.

Kjo është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme sepse të gjitha bashkë bëjnë në tërësi atë që nuk duket sot si një front i bashkuar i përgjegjësisë qytetare në luftën kundër COVID. Nuk jemi të shqetësuar sa i përket stabilitetit shëndetësor, por nëse nuk veprojmë tani atëherë situata rrezikon seriozisht të përkeqësohet, numri i infektimeve rrezikon të rritet dhe barra mbi shëndetësinë rrezikon të rritet. Jemi besoj të gjithë të qartë që masat propozohen nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, por nga ana tjetër ne që jemi këtu në radhë të parë në anën e qeverisë dhe ju të mediave kemi detyrimin që të bëjmë më shumë se të tjerët që zbatimi i masave të jetë korrekt.”– deklaroi kryeministri.

Rama e bëri këtë deklaratë në një konferencë me gazetarët, ku fokusi është tek situata e pandemisë së Covid-19.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *