Vendosni fjalën kyçe....

Mësimi online, 62% e studentëve mendojnë se nuk është efektiv


Sa i përket efektivitetit të mësimit online krahasuar me mësimin e zhvilluar në fakultet, studentët më shpesh janë përgjigjur “aspak efektiv” dhe “pak efektiv” në rreth 62% të rasteve dhe vetëm në 9% janë përgjigjur se kjo formë ka qenë efektive ose shumë efektive.

Pandemia e COVID-19 në mbarë botën ka prekur zhvillimin e mjaft sektorëve, si shëndetësinë, ekonominë, lëvizjen e lirë të njerëzve, arsimin në të gjitha nivelet e tij.

Nisur nga situata e pandemisë, e krijuar në 2020-n, shumë qeveri u detyruan të bëjnë mbylljen totale, gjë e cila solli ndryshime në mënyrën e të punuarit dhe të mësuarit në universitete. UNESCO ka vlerësuar se në 177 vende janë mbyllur shkollat si një masë parandaluese mbrojtëse nga COVID-19, duke prekur rreth 1.3 miliardë nxënës në të gjithë globin. (UNESCO, 2020).

Ndërkohë, referuar raportit të UN 2020, pandemia e COVID-19 ka shkaktuar përçarjen më të madhe të sistemit arsimor në histori, duke prekur rreth 1.6 miliardë nxënës në më shumë se 190 vende në të gjithë botën. Mbyllja e shkollave ka prekur 94% të studentëve në të gjithë botën dhe 99% të studentëve në vendet me të ardhura mesatare e të ulëta.

Aftësia për t’iu përgjigjur mbylljes së shkollave është ndikuar shumë nga niveli i zhvillimit të vendit: në 3-mujorin e dytë të 2020-s, 86% e nxënësve në shkollat fillore të vendeve me zhvillim të ulët njerëzor kanë mbetur jashtë sistemit arsimor krahasuar me vetëm 20% në vendet me zhvillim shumë të lartë njerëzor.

Sipas një raporti të ILO (2020), mbi ndikimin te të rinjtë të Covid-19, në tregun e punës, arsimit, të drejtave dhe shëndetit mendor, ku ishin përfshirë 12,605 të rinj të moshës 18-34 vjeç, nga 112 vende të botës, mbi 73% e të rinjve u ndikuan nga mbyllja e shkollave, universiteteve apo qendrave të trajnimit. Ky efekt ishte pak më i lartë tek ata të cilët vetëm studionin (74%), krahasuar me ata të cilët studionin dhe punonin.

Përqindje më të lartë të mosndjekjes së kurseve gjatë mbylljes nga pandemia kanë raportuar të rinjtë, të cilët jetojnë në vende me të ardhura të ulëta. 65% e të rinjve nga vendet me të ardhura të larta mësuan në klasa me video-leksione; në vendet me të ardhura të ulëta, kjo mënyrë e të mësuarit ishte deklaruar nga 18% e të rinjve. Sipas raportit, arsyet që pengonin efektivitetin e mësimit online janë: 1. Niveli i ulët i aksesit në internet; 2. Aftësi të pamjaftueshme dixhitale për të mësuar nga distanca; 3. Mungesa e pajisjeve IT; 4. Mungesa të hapësirës; 5. Mungesa të materialeve të përshtatshme për të dhënë mësim në distancë; 6. Mungesa e një grupi pune dhe të kontaktit social.

Masat e izolimit, si pasojë e kësaj pandemie, sollën sfida të reja në procesin e mësimdhënies, ku burimet dixhitale kanë një rol kryesor për të përballuar këtë situatë. Mësimi online u pa si alternativa më e mirë për të vijuar transferimin e njohurive, por tani virtualisht nëpërmjet internetit. Në situata të tilla, u përdor teknologjia e internetit për të komunikuar nëpërmjet email-eve dhe formave të tjera të zhvilluara edhe në platforma komunikimi.

Nëpërmjet një studimi të mbështetur nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile – AMSHC, u realizua një vrojtim me studentë në IAL publike dhe private në vend, ku të dhënat janë grumbulluar nëpërmjet vrojtimit me pyetësor online, me zgjedhje të rastit dhe shumëshkallëshe. Për të marrë një pamje sa më të qartë të aplikimit të mësimit online në të dyja llojet e studimit, në atë publik dhe në atë privat, pyetësorët u shpërndanë në Universitete të ndryshme të vendit dhe u morën 1502 përgjigje nga studentë, 58% në universitete publike dhe 42% në universitete private.

Pjesa më e madhe e studentëve kanë përdorur vetëm një pajisje për të ndjekur mësimin online dhe afërsisht 15% e tyre deklaruan se kishin përdorur për të zhvilluar mësimin online më shumë se një pajisje. Pajisjet më shumë të përdorura nga studentët ishin laptop 32% dhe smartphone 5-6 inç, 26%. Më pak janë përdorur tabletët për të ndjekur mësimin në klasat online (3.2% e studentëve).

Rreth 24% e studentëve kishin akses shumë të shpeshtë, 29% e tyre, akses të shpeshtë në internet për leksione, seminare dhe studim të pavarur. Afërsisht 33% e studentëve deklaronin se kishin akses mesatar për leksione, seminare dhe studim të pavarur, rreth 6% shumë rrallë dhe rreth 8% akses të rrallë.

Lidhur me koston mesatare të internetit u vu re se afërsisht 86% e studentëve deklaruan kosto të përdorimit të internetit që varionte nga 1000 në 3000 lekë dhe për rreth 40% e tyre, shpenzimet mesatare ishin nga 1500 në 2000 lekë. Niveli mesatar i shpenzimeve për internet është llogaritur të jetë rreth 18 mijë lekë në muaj.

Studentët u pyetën lidhur me mundësitë që ata kishin në familjet e tyre për ndjekjen e mësimit online. Afërsisht 48% e studentëve u shprehën se në pak raste kishin një hapësirë të qetë për mësim, rreth 26% e tyre u shprehën “po” se kishin një hapësirë të qetë dhe rreth 22% u shprehën se në shumicën e rasteve kishin një hapësirë të qetë për të zhvilluar mësimin online.

Forma që përdorej më shumë gjatë mësimit online ishte ajo ‘live’ përmes video-konferencave, ndjekur nga mënyra të tjera siç ishin lexim në mënyrë të pavarur i kapitullit të rekomanduar, lexim në mënyrë të pavarur i prezantimit powerpoint, ndjekja e video-leksioneve – powerpoint me audio dhe video. Më pak ishin përdorur metodat e mësimit nëpërmjet rasteve të studimit, lektorëve të ftuar.

Nga përgjigjet e marra, disa nga kufizimet, të cilat kanë hasur më shumë studentët janë: Vështirësia në përqendrim gjatë kohës që zhvillohet mësimi online (ishte një nga kufizimet me numrin më të lartë të përgjigjeve, 824 përgjigje), linjë e dobët interneti (796 përgjigje), Kosto e përdorimit të internetit (641 përgjigje), Orar i papërshtatshëm i zhvillimit të mësimit online (442 përgjigje). Kanë ndikuar më pak në mosndjekjen e mësimit online vështirësitë në përdorimin e platformës online, me 157 përgjigje. Gjithashtu, kishte edhe studentë të cilët deklaruan se nuk kishin pasur vështirësi për të ndjekur mësimin online (168 studentë).

Për sa i përket efektivitetit të mësimit online krahasuar me mësimin e zhvilluar në fakultet, studentët më shpesh janë përgjigjur “aspak efektiv” dhe “pak efektiv” në rreth 62% të rasteve dhe vetëm në 9% janë përgjigjur se kjo formë ka qenë efektive ose shumë efektive.

Studentët u pyetën se çfarë do të donin të ndryshonte në mësimin online dhe pjesa më e madhe e studentëve mendojnë se duhen bërë ndryshime në infrastrukturën fizike, materialet dixhitale dhe kapacitetet e studentëve dhe më pak në kapacitetet e pedagogëve.

Avantazhet dhe disavantazhet e mësimit online janë renditur në vijim sipas nivelit mesatar të përgjigjeve të marra (1 = avantazh ose disavantazh shumë i vogël deri në 5 = avantazh/disavatazh shumë i madh). Duke bërë një mesatare të përgjithshme, vëmë re se niveli mesatar për avantazhet e mësimit online është 2.85 (pak në nivelin e vlerësimit “avantazhe mesatare”, ndërsa disavantazhet vlerësohen me 3.25. Kjo tregon se disavantazhet e mësimit online “rëndojnë” më shumë se avantazhet e tij.

Si përfundim mund të themi se:

  1. Studentët kanë njohuri të mira në IT, por më shumë se gjysma e studentëve e kanë ndjekur mësimin online përmes smartphone-ve, gjë që ka shkaktuar vështirësi sidomos për mësimin në lëndët e shkencave ekzakte.
  2. Aksesi në internet vlerësohet që në shumicën e rasteve ka qenë në nivelin mesatar, por në banesat e tyre shpesh ka munguar një hapësirë e qetë për të ndjekur mësimin.
  3. Vlerësimi për efektivitetin e mësimit online është i ndryshëm për metoda të ndryshme të ndjekura dhe vështirësitë kryesore mbeten cilësia e dobët e internetit, mospërqendrimi gjatë mësimit online, kosto e lartë e internetit dhe oraret e papërshtatshme të zhvillimit të mësimit.
  4. Vlerësimi i studentëve për efektivitetin e mësimit online është i ulët dhe në shkallën nga 1 në 5 (1, shumë i ulët dhe 5 shumë i lartë) vlerësohet të jetë 2.2 ndërsa nxitja e studentëve nga pedagogët për pjesëmarrje aktive në mësimin online vlerësohet me 2.3, pra nivel i ulët, ndërkohë që përputhja e tezave të provimit me shpjegimet e dhëna në mësimin online vlerësohet disi mbi mesataren (3.2 ndaj 5 që është maksimumi).
  5. Si avantazhet kryesore të mësimit online janë përmendur mundësia e aksesimit të materialeve në çdo kohë, mundësia e qëndrimit të shtëpi, mundësia për të regjistruar një mësim si dhe komforti përreth etj., ndërsa si disavantazhet kryesore janë përmendur zvogëlimi i komunikimit me pedagogët, izolimi social, kushte jo të mira studimi në shtëpi, mungesa e disiplinës vetjake etj.

 

Nga analiza e bërë, ne mendojmë se ka vend për shumë përmirësime

  1. Duhet të krijohet një databazë e familjeve në nevojë, që kanë fëmijë të cilët ndjekin arsimin e lartë dhe mbështetja në mënyra të ndryshme e këtyre familjeve për të përmirësuar kushtet e studimit të fëmijëve në universitet. Kjo mund të bëhet nëpërmjet dhurimit të tabletëve ose laptop për të ndjekur mësimin online dhe bashkëpunimit me kompanitë që ofrojnë shërbim interneti, për të mbuluar një pjesë të kostos së internetit nga shteti.
  2. Kontroll më rigoroz ndaj kompanive që ofrojnë shërbim internet jo vetëm për mbulimin e të gjithë territorit me internet, por sidomos me shërbim cilësor interneti.
  3. Gjetja e formave të bashkëpunimit me kompani të ndryshme për të siguruar sponsorizime për pajisje elektronike për studentët nga shtresat në nevojë dhe me kompanitë që ofrojnë shërbim interneti për internet falas, ose me çmim të reduktuar për studentët që vijnë nga shtresat në nevojë.
  4. Përpjekje më intensive për t’u përshtatur me kushtet e mësimit online dhe pjesëmarrje më aktive të studentëve gjatë mësimit online.
  5. Të rishikohen metodat e vlerësimit, të cilat mund të jenë fleksibël, përfshirë prezantime, projekte në grup, forma standarde të testimit online, testime të ndryshme etj.
  6. Duhet bërë riorganizimi i shpenzimeve prej vetë studentëve, duke shtuar pjesën e buxhetit të shkollimit për shpenzime për pajisje teknologjike dhe internet dhe duke reduktuar shpenzimet të tjera që nuk janë të domosdoshme.
  7. Duhen përpjekje më intensive nga studentët për t’u përshtatur me kushtet e mësimit online dhe pjesëmarrje më aktive gjatë mësimit online.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *