Vendosni fjalën kyçe....

Nuk respektuan masat anti-covid, policia gjobit 908 qytetarë në dy ditët e fundit


Gjatë 48 orëve të fundit, Policia ka gjobitur 908 qytetarë që nuk i kanë zbatuar masat e vendosura nga Komiteti Teknik për mbrojtjen nga koronavirusi.

892 prej tyre janë gjobitur me nga 3.000 lekë secili, pasi janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse të cilat janë të detyrueshme për t’u mbajtur sapo del nga shtëpia.

10 qytetarë janë ndaluar dhe dërguar në komisariat, pasi nuk kanë paraqitur dokumentin e identifikimit. Më pas janë gjobitur me të njëjtën shumë parash dhe janë lënë të lirë.

DETAJET E POLICISË

Kontrolle të vazhdueshme në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid.

Gjatë 48 orëve të fundit, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 908 shtetas që nuk i kanë zbatuar këto masa.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 48 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 892 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 10 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, shërbimet e Policisë kanë evidentuar 3 subjekte që ushtronin aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për administratorin e secilit subjekt është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, gjatë kontrolleve janë konstatuar 13 qytetarë që lëviznin në rrugë gjatë orarit të ndalimit të lëvizjes, pa arsye të domosdoshme, të cilët janë ndëshkuar me masën administrative 10.000 lekë secili.

Policia e Shtetit, krahas punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, sigurimin e rendit dhe qetësisë publike, do të vijojnë punën për monitorimin e zbatimit të masave anticovid në të gjithë vendin. Në këtë kuadër, Policia apelon për të gjithë qytetarët që të zbatojnë me rigorozitet masat anticovid.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *