Vendosni fjalën kyçe....

Pacientët reagojnë ndaj deklaratës së Ministres: Personat me HIV/AIDS asnjë mbështetje gjatë pandemisë


Një dhjetori është Dita Botërore kundër HIV-AIDS dhe Shqipëria shënon 1387 raste të raportuara me infeksionin HIV. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se Shqipëria vijon të ketë prevalencë të ulët, falë përpjekjeve të pareshtura për të mbajtur nën kontroll infeksionin HIV.

“Edhe në këtë vit të vështirë, kemi garantuar terapinë e plotë të mjekimit për çdo të prekur me HIV-AIDS, nën kujdesin shembullor të ekipeve tona mjekësore, që nuk e kanë ndalur trajtimin për asnjë moment, pavarësisht situatës së pazakontë të epidemisë”, tha ajo.

Ministrja, po ashtu theksoi vendosmërinë për të garantuar shërbimin shëndetësor për këdo që ka nevojë, me gjithë situatën e vështirë të epidemisë që po përballon sistemi ynë shëndetësor.

Në Shqipëri raportohen 1387 raste me infeksionin HIV, ndërkohë që gjatë vitit 2020 deri në këtë periudhë janë raportuar 81 raste. 667 të prekur po trajtohen me terapinë me antiretrovirale falas, kurse 65 pacientë kanë filluar terapinë me ARV këtë vit.

Ndërkohë që për këtë deklaratë të Ministres ka reaguar një nga personat me HIV/AIDS, duke shprehur indinjatë, për mënyrën e organizimit të sistemit gjatë periudhës së pandemisë.

REAGIMI I PLOTË

Përgjatë gjithë vitit të mbrapshtë pandemik që po jetojmë nuk ka raste ku medikamentet ARV u dërgohen personave në shtëpitë e tyre në rrethe. 

Jo vetëm kaq, por gjatë mbylljes së parë në fillim vit, personat me patologji të ndryshme që merrnin mjekimin në Tiranë, ndër ta edhe ne me HIV/AIDS, jemi përballur me vështirësi të shumta te kushtëzuar nga mungesa e informacionit dhe nga limitimet e caktuara te vendosura nga organet përsa i përket lëvizjes. 

Me sa duket, edhe kësaj here ministria përgjegjëse duket më tepër e interesuar në fasadën e saj se sa në zgjidhjen reale të problemeve. 

Meqenëse Ministria e Shëndetësisë gënjen haptazi se i ka nisur medikamentet në shtëpitë e personave me HIV/AIDS, gjatë pandemisë  le të na japë disa detaje dhe të  provojë të kundërtën:

Sa dorëzime janë kryer?

Shpërndarjen gjeografike të personave.

Cili korrier postar u përdor?

A ka fatura apo dokument dërgimi e marrëse postare që e konfirmojnë?

Kush ishte kostoja e kësaj procedure?

Meqenëse u testua dhe paskësh patur sukses, përse të mos jetë një veprim rutine? 

Meqenëse Ministria sot publikoi shifrat, a mund të na thotë se sa është numri i vdekjeve? 

Grup moshat e të prekurve, stadet e tyre, grup-moshat e atyre që kanë humbur jetën dhe kush është numri total i testimeve në shkallë vendi? 

Kush janë skemat e reja të medikamenteve, plani i edukimit të pacientëve, plani edukues dhe informues i popullatës dhe a ka Ministria një buxhet i cili shkon përgjatë vitit në programe edukuese, sensibilizuese në mënyrë që për HIV/AIDS te mos flitet vetëm në 1 Dhjetor të çdo viti?.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Shëndeti.com.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *