Vendosni fjalën kyçe....

Niko Peleshi për përmbytjet: Ujërat po tërhiqen, jemi në gatishmëri


Ministri i ri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka folur lidhur me situatën e krijuar nga moti i keq në vend, që ka sjellë përmbytje në disa zona.

Peleshi tha në një lidhje telefonike për “News24” se situata është në përmirësim pasi nuk ka reshje aktualisht dhe uji ka një tërheqje për shkak dhe të erës.

Ai thotë se menaxhimi i kaskadës dhe mirëmbajtja e kanaleve kulluese ka bërë që të shmanget një situatë si e vitit 2010.

“Në njësinë Ana e Malit, në fshatin Obot e njëjta situatë si dje. Ka një përmirësim të lehtë, disa cm rënie të nivelit dhe për shkak të erës që po fryn, ujërat do të tërhiqen me shpejtësi drejt detit. Reshjet tani kanë ndaluar dhe nuk rrezikohet pjesa e Nënshkrodrës, fusha e Obotit, çka ka qenë problematike në vitet e kaluara. Është gjithmonë frika e vitit 2010 të cilave duam t’ju shmangemi. Reshjet nuk i kemi në dorë, por menaxhimin e kaskadës. Kaskada e Drinit është menaxhuar mirë. Në HEC-in e Fierzës 10 metra rezervë. Nuk ka shkarkime në Vaun e Dejës. për shkak të reshjeve në ditët në vazhdim ne parashikojmë që nuk do të ndodhë më e keqja. Jam optimist që ditë pas dite situata do jetë më e mirë. Jemi në gatishmëri të plotë. Janë ngritur në të gjitha bashkitë dhe prefekturat shtabet. FA-të, janë me gatishmëri të shtuar që prej 2 ditës. Kemi në territor, mjete e forca prezentë, që kanë transportuar rreth 100 persona në Lezhë e Shkodër. Kanë evakuuar disa familje”, deklaroi Peleshi.

Sipas tij nuk ka asnjë familje në rrezik apo të izoluar.

Ministri parashikon se reshjet do të rikthehen nga sot pasdite por beson se nga kjo nuk do kemi pasoja shumë të këqija.

“Janë 1800 forca të angazhuara nga njësitë vendore dhe 260 forca të FA-ve në gatishmëri. 1200 forca të tjera të angazhuara nga forcat tona janë në të gjitha qarqet. Shpresoj dhe parashikoj që nuk do kemi emergjenca, rrezikime të jetëve të njerëzve. Temperaturat janë relativisht të larta për sa i përket dëborës, por në ditët në vijim do ketë rënie të temp duke sjellë dhe ulje të prurjeve në lumenj.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është në territor. Të gjitha hallkat e zinxhirit të emergjencave civile kanë funksionuar shumë mire.”- tha ai.

Lidhur me dëmet, Peleshi thotë se nuk jemi në një periudhë të prodhimeve bujqësore, por rezervat mund të jenë prekur. Sipas tij nuk vlerësohet një dëm i madh.

“Nuk jemi në skenarë të dëmtimeve të mëdha ekonomike. Ne do jemi të përgatitur për të asistuar dhe me ndihma ushqimore aty ku kërkohet por nuk vlerësohet një dëm i madh ekonomik”, tha ai.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *