Vendosni fjalën kyçe....

IDENTIFIKIMI ELEKTRONIK – Kompania e afërt me Edi Ramën shpallet fituese nga KQZ-ja


Vetëm një kompani ka mbetur në garë për të bërë identifikimin elektronik të votuesve në zgjedhjet e ardhshme.

Ajo është kompania “Smartmatic”. Të gjitha kompanitë e tjera janë tërhequr nga gara, ose nuk kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve zhvilloi procedurën prokuruese me objekt ‘Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre pas zgjedhor’.

Sot ishte afati i fundit për të paraqitur dokumentacionin e kërkuar, ofertën ekonomike dhe dorëzimin e pajisjes së kërkuar (mostrës) nga kompanitë. 

Në këtë procedurë u ftuan për të marrë pjesë 6 kompani, nga të cilat u paraqit një 1 kompani.

Aktualisht, KQZ është në fazën e vlerësimit të ofertës, shqyrtimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të pajisjes së paraqitur nga kompania.”– ka njoftuar KQZ.

Më tej KQZ jep detaje mbi fondin limit ndërsa sqarohet se procesi është në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit dhe vlerësimit të ofertës së paraqitur nga kompania.

“Në procedurën prokurues me objekt ‘Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre paszgjedhor” operatori ekonomik që mori pjesë është kompania ‘Smartmatic’, me fond limit 19.976.374,23  USD pa TVSH.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve aktualisht është në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit, vlerësimit të ofertës si dhe vlerësimit të pajisjes së paraqitur nga kompania për demonstrim.

Në përfundim të procedurës së vlerësimit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të vendosë në lidhje me procedurat pasardhëse.”- përfundon njoftimi.

Smartmatic është një kompani britanike me qendër në Londër, e cila sipas KQZ-së është e vetmja që ka paraqirur një ofertë konkrete, ndonëse 6 kompani më parë kishin shfaqur interesimin.

Vitin e kaluar kjo kompani ka realizuar edhe sistemin për zgjedhjet e brendshme në Partinë Socialiste.

Kompania është e profilizuar për prodhimin e sistemeve të votës elektronike, të përdorura në vende, si Estoni, Filipine, etj, si dhe në përdorimin e kësaj teknologjie në primaret Presidenciale Republikane.

“Smartmatic është një kompani shumëkombëshe që harton dhe vendos zgjidhje teknologjike që synojnë të ndihmojnë qeveritë, në mënyrë që ata të mund të përmbushin përgjegjësitë e tyre ndaj qytetarëve të tyre në mënyrën më efikase.”- thuhet në faqen zyrtare të kompanisë./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *