Vendosni fjalën kyçe....

Italia vendoset në karantinë gjatë Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri


Italia ka urdhëruar një bllokim mbarëkombëtar për periudhën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në një përpjekje për të luftuar rritjen e rasteve të koronavirusit.

Siç shkruan BBC, Italia do të jetë nën kufizimet e “zonës së kuqe” gjatë festave publike, me dyqane, restorante dhe bare të mbyllura, dhe italianët do të lejohen të udhëtojnë vetëm për punë, arsye shëndetësore dhe urgjente.

Do të lejohen vetëm një numër i kufizuar vizitash në shtëpi.

Kryeministri italian Giuseppe Conte tha se ky nuk ishte “një vendim i lehtë”.

“Ekspertët tanë ishin seriozisht të shqetësuar se do të kishte një kërcim të rasteve gjatë Krishtlindjeve … Prandaj na u desh të vepronim.”- tha ai në një konferencë shtypi.

Italia ka regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve nga Covidi në Evropë, me afro 68 000 viktima.

Conte tha se procesi i vaksinimit që do të nisë më vonë këtë muaj do të shënonte fillimin e “fundit të këtij makthi”.

Njoftimi i kufizimeve të Krishtlindjeve të premten erdhi pas një debati në koalicionin qeverisës midis atyre që dëshironin një bllokim të plotë dhe të tjerëve që kërkonin veprim të kufizuar për të ndihmuar bizneset që luftonin dhe për të lejuar familjet të takoheshin.

Cilat janë rregullat?

Kufizimet e “zonës së kuqe” do të jenë në fuqi në të gjithë Italinë nga data 24 deri në 27 dhjetor, 31 dhjetor deri në 3 janar si dhe 5 deri në 6 Janar.

Gjatë kësaj periudhe njerëzit “mund të largohen nga shtëpia vetëm për arsye pune, nevoje dhe shëndeti”.

Por, Conte shtoi gjithashtu se me masat e reja do të lejojnë njerëzit të marrin një maksimum prej dy mysafirësh në shtëpi.

Shtetrrethimi nga ora 22:00 deri në 05:00 do të qëndrojë në vend. Do të ketë lehtësime të këtyre rregullave nga 28 dhjetori deri më 30 dhjetor dhe më 4 janar. Në këto ditë, njerëzit do të jenë të lirë të largohen nga shtëpitë e tyre, por baret dhe restorantet do të qëndrojnë të mbyllura.