Twitter është gjobitur me 450 mijë euro (547 mijë dollarë) nga rregullatori i të dhënave të Irlandës për bërjen publike të postimeve private, akti i parë i tillë sipas ligjeve të reja të Bashkimit Evropian (BE) për privatësinë e të dhënave.
Sipas një hetimi të vitit 2019, Komisioni i Mbrojtjes së të Dhënave të Irlandës zbuloi se Twitter shkeli Rregulloren e Përgjithshme të BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave dhe gjithashtu nuk arriti të dokumentonte në mënyrë adekuate shkeljen, thuhet në deklaratën e komisionit të martën.
Vendimi është çështja e parë “e madhe teknologjike” mbi të cilën u këshilluan të gjitha autoritetet mbikëqyrëse të BE-së, shtohet në deklaratë.
Gjoba ishte në lidhje me një shkelje të të dhënave në vitin 2019 në aplikacionin Twitter ku postimet e disa përdoruesve që supozohej të mbroheshin u bënë publike.
Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave është një ligj i Bashkimit Evropian nga viti 2018 që synon të ruajë privatësinë e individëve dhe të mbrojë të dhënat e tyre nga përdorimi i paligjshëm.
Në përgjigje të vendimit, Twitter tha: “Ne marrim përgjegjësinë e plotë për këtë gabim dhe mbetemi plotësisht të përkushtuar në mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave të klientëve tanë, përfshirë përmes punës sonë për të informuar shpejt dhe në mënyrë transparente publikun për çështjet që ndodhin. Na vjen keq për lëshimin”.