Vendosni fjalën kyçe....

Lëvizja Vetëvendosje thirrje Prokurorisë: “Arrestoni Ardi Veliun!”


Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri nuk beson se dorëheqja e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj është e mjaftueshme pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha dhe dhunës së policisë ndaj protestuesve.

Përmes një njoftimi, Vetëvendosja kërkon edhe arrestimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliut.

“Arrestoni Ardi Veliun

Tre ditë pas vrasjes së 25 vjeçarit Klodian Rasha, rasti vazhdon të mbetet i pazbardhur. Dorëheqja e sotme e ministrit Sandër Lleshaj, pas protestave të shumta, nuk mjafton. Për publikun e gjerë është bërë e qartë se Policia e Shtetit, me deklaratat e saj kundërthënëse, ka tentuar ta mbulojë krimin dhe të manipulojë opinionin publik. Këto akte përbëjnë krim institucional të Policisë. I dyshuari kryesor për këtë krim institucional është kryepolici Ardi Veliu.”- thuhet në njoftim.

Sipas Vetëvendosjes një arsye më shumë për largimin e Veliut është edhe menaxhimi i protestës së këtyre ditëve, ku ka patur dhunë ndaj protestuesve e madje dhe ndaj gazetarëve. Vetëvendosja rendit disa raste kur policia ka ushtruar dhunë dhe kërkon nga Prokuroria të lëshojë menjëherë urshrin për arrestimin e kreut të Policisë.

 “Ardi Veliu është kryepolici i shtetit policor që ka instaluar qeveria Rama. Protestat e sotme në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit ishin vazhdimësi e zemëratës së akumuluar nga të rinjtë shqiptarë për shkak të mungesës së drejtësisë, prej përdhosjes së të drejtave dhe nga kriza shumëdimensionale ku regjimi e ka zhytur vendin. Kemi parë sot pamje të një të riu të gjakosur teksa rrihej nga efektivët e policisë. Kemi parë edhe pamjet filmike të një efektivi të policisë që gjuan drejt protestuesëve me armë, që mendohet se mund të jenë plumba gome.

Mirëpo, edhe për përdorimin e plumbave të gomës, rregullat janë të qarta, dhe kërkojnë që ato të drejtohen ose drejt tokës, ose në pjesët e poshtme të trupit.

Mediat po raportojnë gjithashtu se Policia ka shoqëruar sot në komisariate edhe të mitur, madje edhe gazetarë që kanë filmuar dhunën policore. Në Korçë, është raportuar se katër protestues janë shoqëruar në komisariat dhe janë gjobitur me nga 5.000.000 Lek të reja secili (rreth 40.000 Euro secili) për pjesëmarrje në protestë të paligjshme.

Të gjitha këto sjellje të Policisë së Shtetit janë vazhdimësi e tentativës për konsolidimin e shtetit policor. Nuk është hera e parë që Policia e Shtetiti sillet në këtë mënyrë. Kujtojmë rastin e dhunës së shfrenuar ndaj qytetarëve gjatë shembjes së Teatrit Kombëtar, në shkelje të Kushtetutës, apo edhe rrahjen brutale të një të mituri nga Policia për shkak se po endej rrugës gjatë orës policore. Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut. Në këtë ditë, në vend që të arrestohen të rinjtë që dolën në protestë në kundërshtim të padrejtësisë së thellë që është rrënjosur në Shqipëri, Policia e Shtetit do të duhej të arrestonte kryepolicin Ardi Veliu. Kërkojmë nga Prokuroria të lëshojë menjëherë urdhërarrestin për këtë zyrtar të kriminalizuar që drejton Policinë e Shtetit.

Drejtësi për Klodianin!”- përfundon reagimi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *