Vendosni fjalën kyçe....

Komisioni i Venecias rrëzon Ramën për ndryshimet kushtetuese: Jashtëzakonisht të nxituara


Komisioni i Venecias u ka dorëzuar palëve opinionin paraprak lidhur me ndryshimet kushtetuese të miratuara nga Partia Socialiste dhe një pjesë e deputetëve të opozitës parlamentare për sa i përket Kodit Zgjedhor.

Sipas Venecias, ndryshimet kushtetuese ishin tejet të nxituara dhe se do duhej të kishte një konsultim me të gjerë para miratimit.

“Procedura për miratimin e ndryshimeve në Kushtetutë si dhe në Ligjin Nr. 118 ishin jashtëzakonisht të nxituara. Konsultime të gjera ndërmjet aktorëve politikë dhe organizatave joqeveritare, duke siguruar një afat të duhur, duhet të kishte ndodhur para ndryshimit të këtyre ndryshimeve themelore.” – thuhet që në fillim të opinionit.

Më tej ne opinion theksohet se ndryshimet kushtetuese duhet të jenë objekt i gjykimit të Gjykatës Kushtetuese sapo kjo e fundit të bëhet funksionale.

“Kjo duhet të jetë detyra e Gjykata Kushtetuese sapo të bëhet përsëri funksionale. Komisioni i Venecias dhe ODIHR tashmë e kanë bërë të qartë se është me rëndësi jetike për Shqipërinë të bëjnë funksionale Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë sa më shpejt të jetë e mundur, për më tepër në një kohë në të cilën shumë çështje komplekse që kanë të bëjnë me kushtetutshmërinë e çështjeve publike në Shqipëri janë të pranishme.” – vijon dokumenti.

Venecia rekomandon që para zgjedhjeve të 25 prillit, palët politike në Shqipëri duhet të hyjnë në një dialog konstruktiv për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë.

Palët duhet të fillojnë të sqarojnë në mënyrë transparente ndikimin e ndryshimeve kushtetuese dhe administratës zgjedhore t’i sigurohen mjetet për t’i zbatuar.

Po kështu në dokument theksohet se duhet shmangur çdo ndryshim i mëtejshëm i ligjit zgjedhor para zgjedhjeve të 25 prillit.

Rekomandimet e Venecias për zgjedhjet e 25 prillit 2021

Komisioni i Venecias dhe ODIHR bëjnë rekomandimet kryesore vijuese që duhen ndjekur para zgjedhjeve parlamentare të Prillit 2021:

  1. Të gjitha autoritetet të hyjnë në një dialog konstruktiv dhe të bëjnë çmos për të zbatuar ligjin zgjedhor në kohë; ato duhet të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe në një mënyrë transparente, për të sqaruar ndikimin e ndryshimeve, dhe administratës zgjedhore duhet t’i sigurohen mjetet e mjaftueshme për t’i zbatuar ato;
  2. Të shmanget çdo ndryshim i mëtejshëm i legjislacionit zgjedhor përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare; në veçanti, caktimi i kufijve të zonave elektorale nuk duhet të ndryshohet;
  3. Liderët e partive politike të përmbahen nga të qenit kandidatë në disa zona elektorale;
  4. Të sqarohet ndikimi i ndryshimeve në lidhje me koalicionet lidhur me nenin 96 të Kushtetutës për emërimin e Kryeministrit.

Rekomandimet e Venecias për përiudhën pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021

  1. Komisioni i Venecias dhe ODIHR rekomandojnë, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021:
  2. Të hiqet mundësia që liderët e partive politike të garojnë në disa zonat elektorale;
  3. Të respektojë të drejtat e barabarta për të gjitha palët në një koalicion për të apeluar veprimet dhe vendimet e koalicioni;
  4. Të prezantohet mundësia që kandidatët individualë të paraqesin ankesa ndaj ndarjes së mandateve brenda një liste;
  5. Të sqarohet përkufizimi i pragut për zgjedhjet lokale në kuptimin që ai zbatohet në nivel lokal, nëse është e nevojshme përmes një rregulloreje;
  6. Të rishikojë nenin 67 (4) të Kodit Zgjedhor në mënyrë që të zvogëlohet numri minimal i kandidatëve për tu paraqitur në listë;
  7. Të konsiderohet që të bëhet një përjashtim nga pragu kombëtar 1% për pakicat kombëtare.
  8. Të vazhdojë adresimin e rekomandimeve të ODIHR-it lidhur me zgjedhjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *