Vendosni fjalën kyçe....

Ishte me Covid, ndahet nga jeta regjisori i njohur Muharrem Fejzo


Ndahet nga jeta në moshën 87-vjeçare regjisori i njohur Muharrem Fejzo, i cili ishte i prekur nga Covid-19

Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur për publikun djali i tij, Joe Fejzo, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Lamtumirë babo. Pusho në paqe në krahët e të madhit Zot, e të gjithë të dashurve atje sipër. Më fal që nuk të përkëdhela dot, e s’të dhashë dot një gotë ujë, nuk meriton një ikje të tillë. Artisti ynë. Miku ynë. Babai i përgjëruar. Bashkëshorti i jetës”, shkruan djali i regjisorit.

Muharrem Fejzo lindi në Kolonjë në vitin 1933. Ai kreu Liceun Artistik për skulpturë në 1954-ën dhe fillimisht nisi punë si skenograf në operetat “Rusalka”, “Nusja e shitur”.

Fejzo ka realizuar disa buste në Shqipëri, si atë të “Zonjës Çure” etj.

Më 1966 diplomohet për aktor dhe më pas si regjisor në Institutin e Lartë të Arteve. Ai ka qenë edhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës në qytetin e Kukësit.

Në vitin 1972 Muharrem Fejzo, së bashku me regjisorin Fehmi Hoshafi, realizoi filmin “Kapedani”, komedinë e parë që vazhdon të konsiderohet edhe sot si një nga kryeveprat e kinemasë shqiptare.

Gjatë karrierës së tij, Fejzo realizoi mbi dhjetëra filma të tjerë, midis të cilëve mund të përmenden: Operacioni “zjarri”, “Mësonjtorja”, “Muri i gjallë” si dhe “Mjeshtër i madh”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *