Vendosni fjalën kyçe....

Basha me pensionistët: Lutja ime si prind e si bir, mbrohuni nga Covidi


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Bzasha, këtë mesditë është takuar me një grup pensionistësh në Tiranë.

Ai e ka nisur takimin me një lutje për pensionistët që të tregohen të kujdesshëm dhe të mbrohen nga Covidi. Po ashtu u bëri thirrje edhe të rinjve, që dhe ata të tregohen të kujdesshëm për të mbrojtur të afërmit e tyre.

“Lutja e parë që kam për ju është të jeni sa më të kujdesshëm.  Jua them si prindërve të mi, me distance, me maska edhe me gjithë masat e tjera për të ruajtur shëndetin tuaj. Shëndeti juaj është gjëja kryesore, kjo është e para. Këtë që e them për ju e kam edhe për fëmijët tuaj. Siç marr cdo masë  unë si familjar, si prind por edhe si bir prindërisht, ashtu i takon edhe të gjithë të tjerëve, fëmijëve tuaj, të marrin çdo masë për t’ju mbrojtur.

Kjo është dyfish e rëndësishme pasi askush tjetër s’po na vjen në ndihmë. Qeveria që e ka për detyrë s’po u vjen në ndihmë njerëzve.

Prandaj do bëjmë gjithçka që kemi ne në dorë për t’ju mbrojtur juve në radhë të parë. Situata po përkeqësohet shumë shpejt. Mbrëmë kam patur disa telefonata të njerëzve që kanë patur të afëmit për t’i çuar në Sanatorium apo te Infektivi dhe kanë ndenjur për orë me radhë në ambulancë sepse nuk kishte vende për t’i shtruar. Kemi sot mbi 540 të vdekur. I gjithë është faji I kryeministrit. Ai rri në Instagram, në Facebook dhe poston foto.”– deklaroi kryedemokrati.

Ai përsëriti: “E nis edhe njëherë me një lutje për gjithsecilin prej jush: Bëni gjithçka për të mbrojtur shëndetin tuaj. Të paktën sa kemi ne në dorë, aq më shumë që kemi një kryeministër e një qeveri që nuk mbron shëndetin e askujt.”

Kryetari i PD-së tha se qeveria duhet të rimbursojë ilaçet për pacientët me Covid, ndërsa përsëriti thirrjen për një pagesë prej 2 mijë lekësh në muaj për pensionistët, që t’i kenë për të blerë maska dhe dezinfektantë.

“Shteti duhet të ja rimbursojë pacientëve ilaçet. Dje kam qenë në një familje ku ishte i sëmurë dhe burri dhe gruaja dhe dy nga 3 fëmijët. I kishte shkuar 1 milion e 300 mijë lekë fatura. A ka familje shqiptare të paguajë shuma të tilla. I paguani dot ju me pensionin tuaj? Prandaj kemi kërkuar rimbursim të ilaçeve. Prandaj kemi kërkuar një çek prej 2 mijë lekë në muaj. Pse? Për maska, për dezinfektantë.”– tha Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *