Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në katër numri i viktimave nga sulmi në Vjenë – Detaje të reja për të dyshuarin


Ka shkuar në katër numri i viktimave nga sulmi terrorist që tronditi mbrëmjen e kaluar Vjenën. Mediat austriake shkruajnë se viktimat janë dy burra dhe dy gra.

Ky lajm u konfirmua nga kancelari austriak Sebastian Kurz gjatë një fjalimi televiziv të martën në mëngjes.

Duke iu drejtuar kombit, Kurz tha se një burrë i moshuar, një grua e moshuar, një kalimtar i ri dhe një kameriere janë “vrarë me gjak të ftohtë”.

Ai shtoi se 14 persona të tjerë u plagosën, disa prej tyre rëndë. Ai tha se një oficer policie ishte mes të plagosurve dhe se një nga sulmuesit u vra nga policia të hënën në mbrëmje. Ndryshe nga kryeministri, Der Standard flet për 17 të plagosur.

Kurz tha se të shtënat e së hënës ishin “një sulm ndaj shoqërisë sonë të lirë” dhe se Austria do “të mbrojë vlerat e saj”.

Kancelari njoftoi një minutë heshtje mbarëkombëtare për kujtimin e viktimave në orën 12:00.

Vjenezët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi ende, sipas thirrjeve që u kanë bërë autoritetet që prej mbrëmjes së kaluar. Arsimi i detyrueshëm është pezulluar të martën në Vjenë.

Detaje për autorin e dyshuar

Sulmuesi që u vra nga policia ishte një mbështetës 20-vjeçar i ISIS-it me një prejardhje shqiptare nga Maqedonia e Veriut – ai kishte shtetësi austriake dhe maqedonase. Banesa e tij ishte hedhur në erë mbrëmë natën.

Në vitin 2019 ai u dënua me 22 muaj burg për përpjekjen për të udhëtuar në Siri për t’u bashkuar me ISIS-in. Sipas autoriteteve, ka gjashtë skena krimi në qendër të qytetit që u qëlluan në: Morzinplatz, Salzgries, Seitenstettengasse, Graben, tregu i fermerëve dhe tregu i mishit.

Operacioni i policisë për kërkimin dhe arrestimin e të dyshuarve është ende në vazhdim. Prandaj të gjithë njerëzit nxiten të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin vendet publike. Situata është konfuze.

Policia i bëri thirrje popullatës të mos postojë video në mediat sociale. “Kushdo që ka video duhet t’i vërë ato direkt në dispozicion të policisë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *