Vendosni fjalën kyçe....

16 ditë në grevë/ Naftëtarët tentojnë të futen në Rafineri dhe përplasen me policinë


Naftëtarët e Ballshit sot kanë hyrë në ditën e 16 të grevës së urisë, ndërsa kanë tentuar të hyjnë në rafineri siç kishin paralajmëruar edhe në protestën e djeshme.

Kjo ka sjellë përplasje mes tyre dhe forcave të policisë. Uzina ruhet nga policët privatë, të cilëve naftëtarët u kanë bëjnë thirrje që të hapin portat e uzinës. Naftëtarët pretendojnë se brenda në uzinë nuk ka njeri, e prandaj duan të hyjnë brenda.

Ata kërkojnë të marrin librezat e punës. “Jemi pa bukë. Kërkojmë pronarin. Do të presim 10 minuta sa gjërat të marrin zgjidhje”, janë shprehur naftëtarët.

Në mbështetje të grevistëve kanë shkuar dhe sindikata e fermerëve të bashkuar dhe kreu i kësaj sindikate, Eduard Sharka.

Sharka tha se janë në mbrojtje të naftëtarëve dhe se edhe fermerët kanë të njëjtat problematika me ta.

“Kemi ardhur t’i mbështesim në mënyrë simbolike fermerët.  Greva është forma e fundit e protestës dhe ne mbështesim çdo vendim të ndërmarrë.

Do të jemi pranë naftëtarëve, pasi kanë të njëjtat problematika me ne. Edhe fermerët kanë të njëjtat shqetësime, pasi nuk kanë marrë lekët nga pikat e grumbullimit”, tha Sharka.

Me kalimin e ditëve gjendja shëndetësore e grevistëve është përkeqësuar ku disa prej tyre janë dërguar dhe në spital. Por përsëri pas mjekimit janë kthyer në grevë. Ata kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre: rifillimi i punës në rafineri si dhe marrjen e pagave të prapambetura.

“Përkrahje sociale, jo, rroga jo, asistencë jo. Më paqësore se kaq nuk ka ku të shkojë më. Na mashtruan na gënjyen. Puna nuk ka filluar akoma. Kjo është tallje e madhe. Do vdesim në grevë urie. Ne duam garanci, që për 6 muaj të mos jemi prapë në grevë”, tha një prej naftëtarëve.

Deri më tani nuk ka patur asnjë reagim nga institucionet shëndetësore. Ndërsa i vetmi politikan që i ka vizituar nga afër ka qenë kreu i PD-së, Lulzim Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *