Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump dhe gruaja e tij Melania infektohen me Covid-19


Presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Melania Trump kanë rezultuar pozitiv në testin për koronavirusin.

Lajmin e dha herët këtë të premte, vetë Donald Trump përmes një postimi në Twitter.

“Sonte zonja e parë dhe unë kemi rezultuar pozitiv me Covid-19. Ne do të fillojmë karantinën dhe trajtimin për t’u shëruar menjëherë. Ne do ta kalojmë këtë bashkë.”- shkruan Trump.

Kjo diagnozë përbën kërcënimin më të rëndë shëndetësor të njohur në dekada, për një president amerikan në detyrë.

Në moshën 74-vjeçare, Trump bie në kategorinë e personave me rrezik më të lartë për komplikime serioze nga sëmundja, e cila ka vrarë më shumë se 200,000 amerikanë dhe më shumë se 1 milion njerëz në të gjithë botën.

Presidenti dhe zonja e parë dyshohet se janë infektuar nga këshilltarja Hope Hicks, e cila ka udhëtuar në avionin presidencial, për një miting në Minesota. Ajo ka udhëtuar disa herë me presidentin Trump dhe ditën e djeshme u konfirmua me Covid-19. Pas kësaj, presidenti dhe gruaja e tij u detyruan të bëjnë tamponin.

Mjeku i Presidentit, Dr. Sean Conley, tregoi se ai e mori konfirmimin e testeve pozitive të enjten në mbrëmje.

“Presidenti dhe Zonja e Parë janë të dy mirë në këtë kohë, dhe ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë rimëkëmbjes së tyre.”– shkroi Conley.

Ai shtoi se ekipi mjekësor i Shtëpisë së Bardhë do të jenë vigjilentë.

“Të jeni të sigurt. Unë pres që Presidenti të vazhdojë të kryejë detyrat e tij pa ndërprerje gjatë rikuperimit, dhe unë do t’ju mbaj në dijeni për çdo zhvillim të mëtejshëm”- shkroi më tej ai.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *