Vendosni fjalën kyçe....

Shkëlqimi dhe rënia e zonjës Prela


Prokurorja Donika Prela ditën e sotme mori vendimin përfundimtar i cili e largon atë nga organet e drejtësisë.

Me një vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Prelës ju ndryshua vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit i cili e kishte konfirmuar në detyrë. Prela u largua për shkak se KPA-ja kishte gjetur pasaktësi në deklarimi e pasurisë.

Por kush është Donika Prela?

Donika Prela është prokurore karriere dhe ka mbajtur edhe detyra të larta në organet e drejtësisë shqiptare.

Donika Prela ka mbajtur për më shumë se një vit në detyrën e drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ajo u vendos në krye të Krimeve të Rënda, si një lëvizje e rëndësishme e reformës në drejtësi nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku. Prela mori këtë post pasi drejtoi për 5 muaj prokurorinë e Durrësit ku kishte në dorë dosjen e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Ky ishte posti më i lartë i karrierës së Prelës si pjesë e organeve të drejtësisë.

Në kohën kur ajo mori drejtimin e Krimeve të Rënda ishin nën hetim disa çështje të rëndësishme për lidhjet e politikanëve me krimin e organizuar, por gjatë kohës qe ajo drejtoi këto çështje u zvarritën, u minimizun dhe një pjesë u mbyllën.

Në këtë kohë Arta Marku bëri edhe lëvizje të bujshme të prokurorve më të rëndësishëm duke i transferuar në rrethe. Lëvije këto të diskutueshme. Emri i Prelës u lakua edhe politikisht pasi mori detyrën e saj si prokurore e Krimeve të Rënda.  

Me shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Krimeve të Rënda nis edhe rënia në karrierë e Prelës.

Në korrik të vitit 2019, zonja Prela kandidoi për të qenë pjesë e SPAK, por KLP e skualifikoi atë nga kjo garë.  Në tetor të 2019, Prela kërkoi të transferohej në Prokurorinë e Apelit ose në Prokurorinë e Përgjithshme.

Donika Prela u konfirmua unanimisht në detyrë më 5 shkurt të vitit 2019 nga trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Valbona Sanxhaktari dhe Olsi Komici. Megjithatë, vendimi i KPK-së u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili kritikoi justifikimin që trupa gjyqësore u bëri të ardhurave të pataksuara të bashkëshortit të Prelës.

Pas ankimimit nga Komisioneri Publik nis edhe procesi i rivlerësimit për Prelën nga KPA-ja.

Në qershor të këtij viti Prela kërkoi përjashtimin e dy anëtareve të trupës, Natasha Mulaj dhe Ina Rama –duke pretenduar se ishin në kushtet e konfliktit të interesit.

Në fillim të shtatorit KPA-ja mori vendimin për rëzimin e kërkesës së ish-drejtueses së Krimeve të Rënda dhe ditën e sotme vendosi shkarkimin e saj.

Vendimi i sotëm shënon rrëzimin e karierës së saj në drejtësi duke e përjashtuar nga drejtësia shqiptare./