Vendosni fjalën kyçe....

Përçarjet në radhë e BDI-së rrezikojnë qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut


Qeveria e re në Maqedoninë e Veriut rrezikohet nga dy deputetë që janë pjesë e partisë shqiptare, BDI të drejtuar nga Ali Ahmeti.

Sipas mediave në vendin fqinj, ata e kanë kushtëzuar votën e tyre me një mandat ministri ndërsa janë shprehur kundër dy emrave të propozuar nga BDI-ja si ministra, përkatësisht Artan Grubi e Bujar Osmani.

Sipas analistit Xhelal Neziri, në një intervistë për ABC News, e njëjta problematikë u shfaq edhe në votimin e kreut të Kuvendit, Talat Xhaferri.

Ai tha se deputetët e komunave Çair e Saraj, kundërshtuan të marrin pjesë në votim dhe u bindën vetëm në fund duke rrezikuar votimin.

“Votimi i kryetarit të Parlamentit Talat Xhaferi u vu në pikëpyetje pasi deputetët e degëve të komunave të Shkupit – Çair dhe Saraj paralajmëruan se nuk do të marrin pjesë në seancë, shkaku i kundërshtimit të nominimit të Bujar Osmanit dhe Artan Grubit për ministra. Kjo pamundësonte zgjedhjen e Xhaferit konform marrëveshjes Zaev-Ahmeti pasi nuk arrihej shumica minimale parlamentare prej 61 deputetësh.” – tha Neziri.

Më tej ai shtoi se një pjesë e degëve të BDI-së janë të pakënaqura me ndarjen e posteve qeveritare dhe kjo rrezikon formimin e qeverisë së re.

“Disa degë të BDI-së janë të pakënaqura me ndarjen e pozitave qeveritare. Këto pakënaqësi janë normale në partitë e koalicionet që përbëjnë pushtetin, por në rastin kur kemi një shumicë të lëkundshme parlamentare, kjo mund të sjellë në bllokimin e institucioneve apo edhe mosvotimit të qeverisë javën e ardhshme.” – vijoi Neziri.

Shumica e tanishme në Maqedoninë e Veriut është mjaft e brishtë pasi koaliconi LSDM-BDI ka 62 deputetë nga 120 gjithsej.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *