Vendosni fjalën kyçe....

Kthimi i pushuesve nga plazhet, hiqen 45 patenta e vendosen 222 gjoba (Video)


Policia rrugore ka publikuar zonat me ngarkesë trafiku teksa pushuesit kthehen nga plazhi. Sipas policisë, trafiku është i rënduar por vijon pa radhë e pa vonesa në mënyrë të rrjedhshme.

45 drejtuesve të mjeteve në rrugë të ndryshme u është hequr leja e drejtimit të mjetit pasi janë kapur duke ecur me shpejtësi tej normave të lejuara.

Në njoftim thuhet gjithashtu se në rrugët e vendit janë vendosur 222 gjoba për shkelje të ndryshme.

Njoftimi

Ka filluar kthimi nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës, i pushuesve që lëvizin në fundjavë.

Në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks të shtuar, por pa krijuar radhë e vonesa, fluksi është i rrjedhshëm.

Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve me uniformë në rrugë, por edhe të shërbimeve civile në patrullim, si dhe po monitoron me 4 dronë parakalimet e gabuara dhe me 6 radarë shpejtësinë tej normave të lejuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Deri në këto momente në akset Lezhë-Thumanë, Himarë-Vlorë-Fier-Durrës-Tiranë dhe Milot-Morinë, Gjiri i Lalzit-Maminas, Rrogozhinë-Elbasan, Korçë-Elbasan-Tiranë, janë evidentuar 45 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit.

Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, në të gjitha akset rrugore nacionale, 222 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u bërë shkak për aksident rrugor.

Njëkohësisht, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore, kanë konstatuar lëvizje të çrregullta në rrugë apo manovra të rrezikshme dhe kanë ndaluar 37 drejtues mjetesh dhe motomjetesh.

Pas alkooltesteve ka rezultuar se 18 prej tyre drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me masa alkooli që varionin nga 0.27 mg/l deri në 0.41 mg/l, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit.

Po gjatë pasdites e deri në këto momente janë vendosur 137 masa për përdorim të celularit, 87 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 21 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, sinjalistikën orientuese dhe kufizuese, të mos kryejnë parakalime të gabuara duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, të zgjedhin dhe përdorin rrugë alternative në rast fluksi dhe të telefonojnë në 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital, për ata drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit, duke u kthyer në rrezik për aksidente rrugore.