Vendosni fjalën kyçe....

Basha nxjerr fotot e plazheve bosh: Turizmi, dega më e goditur nga pandemia


Kryedemokrati Lulzim Basha ka publikuar disa foto nga plazhet e Shqipërisë, të cilat shfaqen pothuajse bosh.
Sipas kreut të PD-së, turizmi është sektori më i goditur nga pandemia dhe 100 mijë punonjës rrezikojnë mbijetesën.

Ai thotë se industria turistike nuk mund të ecë përpara me video propagande.

“Në këto ditë të verës, më shumë se gjysma e shqiptarëve e kanë të pamundur të pushojnë me fëmijët e tyre pas disa muajsh shumë të vështirë. Ndonëse përbën 22% të ekonomisë shqiptare, turizmi është sot dega më e goditur nga kriza dhe pandemia. 100 mijë punonjës në këtë sektor dhe mbi 200 mijë të tjerë të lidhur me të, rrezikojnë punën dhe mbijetesën e tyre dhe të familjeve. Si pasojë e dritëshkurtësisë së qeverisë Rama dhe premtimeve të pambajtura për t’i ardhur në ndihmë, këtë verë turizmi shqiptar gjendet në ditën e tij më të keqe.
Propozimet tona për daljen nga kriza, e kanë turizmin prioritet që duhet mbështetur me likuiditete të mjaftueshme për të qenë në funksion të plotë. Një qeveri e përgjegjshme duhet të subvenciononte konsumin e qytetarëve dhe të injektonte para përmes masave konkrete mbështetëse.

Shqiptarët, por edhe bizneset turistike kanë nevojë për masa dhe ndihmë konkrete që të kenë mundësi të çojnë fëmijët në plazhe apo male, dhe që biznesi i turizmit të funksionojë.
Industria turistike nuk mund të ecë përpara me video propagande të plazheve që sot janë thuajse të boshatisur. Premtimet boshe mbeten vetëm fjalë dhe propagandë nga e cila nuk përfiton askush.”– shkruan Basha.

Ai zotohet se me ardhjen e PD-së në pushtet do t’i jepet fund favorizimeve fiskale për 5 individë, ndërkohë që mbi 95% e operatorëve të tregut rrezikojnë falimentimin. Por se do të ketë një plan konkret zhvillimi që do të rrisë numrin e të punësuarve.

“PD po punon me ekspertët më të mirë për një plan ekonomik që do t’i vijë në ndihmë turizmit dhe gjithë ekonomisë. Ne do t’i japim fund favorizimeve fiskale për 5 individë, ndërkohë që mbi 95% e operatorëve të tregut rrezikojnë falimentimin. Të gjithë qytetarët kanë të drejtë të shijojnë bukuritë natyrore, plazhet dhe pasuritë e tjera të Shqipërisë. Me resurset e saj turistike, Shqipëria ka nevojë dhe do të ketë një qeveri të përgjegjshme dhe serioze, me plan konkret zhvillimi që do të rrisë numrin e të punësuarve dhe do t’i kthejë frymëmarrjen ekonomisë dhe gjithë vendit.”– thotë kryedemokrati.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *