Vendosni fjalën kyçe....

Shpërthimi i Bejrutit: Çfarë është nitrati i amoniumit dhe sa i rrezikshëm është?


Gati 3,000 ton nitrat amoniumi u sekuestruan nga një anije në brigjet e Bejrutit gjashtë vjet më parë dhe më pas u ruajtën në një depo pranë portit.

Autoritetet libaneze besojnë se ka qenë pikërisht kjo lëndë, ajo që e ka shkaktuar shpërthimin në zonën e portit të kryeqytetit libanez të martën.

Por çfarë është nitrati i amoniumit dhe pse mund të jetë kaq i rrezikshëm?

Çfarë është nitrati i amoniumit?

Nitrati i amoniumit është një lëndë e ngurtë në trajtë kristalesh me ngjyrë të bardhë ose pa ngjyrë, e cila prodhohet në sasi të mëdha industriale.

Përdorimi më i madh i tij është si burim i azotit për plehrat kimikë në bujqësi, por përdoret gjithashtu për krijimin e eksplozivëve.

“Nuk gjendet rastësisht nitrat amoniumi në tokë”– shpjegon Andrea Sella, profesor i kimisë në University College London. Kjo sepse është sintetike, e prodhuar nga reagimi i amoniakut me acidin nitrik, thotë ai.

Nitrati i amoniumit prodhohet në të gjithë botën dhe është relativisht i lirë për t’u blerë. Por ruajtja e tij mund të jetë problem, dhe është shoqëruar me aksidente të rënda industriale në të kaluarën.

Sa i rrezikshëm është nitrati i amonit?

Më vete, nitrati i amoniumit është relativisht i sigurt për t’u trajtuar, thotë Prof Sella. Sidoqoftë, nëse keni një sasi të madhe të materialit që qëndron në një vend për një kohë të gjatë, fillon të kalbet.

“Problemi i vërtetë është se me kalimin e kohës lënda do të thithë pak copa lagështie dhe përfundimisht shndërrohet në një shkëmb shumë të madh”- thotë ai. Kjo e bën atë më të rrezikshëm sepse nëse një zjarr e arrin atë, reagimi kimik do të jetë shumë më intensiv.

Çfarë e shkaktoi renë kërpudhë?

Videot nga Bejruti treguan një tym që po dilte nga një zjarr, dhe më pas një re kërpudhe u krijua pas shpërthimit.

“Ju keni një valë supersonike që po udhëton nëpër ajër, dhe ju mund ta shihni atë në renë e bardhë sferike e cila lëviz jashtë nga qendra, duke u zgjeruar lart”, thotë Prof. Sella.

Vala e shokut prodhohet nga ajri i kompresuar, shpjegon ai. “Ajri zgjerohet me shpejtësi dhe ftohet papritmas dhe uji kondensohet, gjë që shkakton renë,” shton ai.

Sa të rrezikshëm janë gazrat që prodhohen?

Kur nitrati i amoniumit shpërthen, ai mund të lëshojë gazra toksikë përfshirë oksidet e azotit dhe gazin e amoniakut.
Shtëllunga ngjyrë portokalli shkaktohet nga dioksidi i azotit, i cili shpesh shoqërohet me ndotjen e ajrit.

“Nëse nuk ka shumë erë, mund të bëhet një rrezik për njerëzit aty pranë”- thotë Prof. Sella.

A përdoret në bomba?

Me një shpërthim kaq të fuqishëm, nitrati i amoniumit është përdorur nga ushtritë në të gjithë botën si një lëndë plasëse.

Është përdorur gjithashtu në disa akte terroriste, përfshirë bombardimin e qytetit të Oklahoma-s në SHBA, në vitin 1995. Në atë rast, autori Timothy McVeigh përdori dy ton nitrat amoniumi për të krijuar një bombë që shkatërroi një ndërtesë federale dhe vrau 168 njerëz.

A ka ndodhur diçka e tillë më parë?

-Në vitin 1921, rreth 4500 ton nitrat amoniumi shkaktuan një shpërthim në një fabrikë në Oppau, Gjermani, duke vrarë më shumë se 500 njerëz

-Aksidenti më vdekjeprurës industrial në historinë e SHBA-ve ndodhi në vitin 1947 në Galveston Bay, Texas. Të paktën 581 njerëz u vranë kur më shumë se 2,000 ton nitrat amoniumi shpërthyen në bordin e një anije e cila ishte ankoruar në port.

-Më i fundit, një shpërthim që përfshin nitratin e amoniumit dhe kimikate të tjera ka ndodhur në vitin 2015 në portin e Tianjin në veri të Kinës, ku u vranë 173 njerëz.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *