Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e taksistit në Fushë-Prezë, si u qëllua me kallashnikov nga një makinë tjetër


Detaje të reja janë zbuluar lidhur me ngjarjen që ndodhi ditën e djeshme në Fushë-Prezë, ku u ekzekutua një 71-vjeçar.

Viktima Abdulla Budlla, banues në fshatin Ahmetaq të Tiranës, punonte si taksist, ndonëse i palicencuar.

Ai po qëndronte pranë makinës së tij në Fushë-Prezë, në kryqëzimin që të çon drejt Aeroportit “Nënë Tereza”. Por është qëlluar me armë nga një makinë në lëvizje, e cila është zhdukur më pas.

“Në Fushë Prezë, në kryqëzimin me rrugën e Rinasit, një shtetas 71 vjeç është konstatuar i shtrirë në anë të rrugës, i cili ka ndërruar jetë. Paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit. Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor që vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Paraprakisht dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga një mjet në lëvizje. Viktima quhet Abdulla Budlla, 71 vjeç, nga fshati Ahmetaq, Njësia Prezë. Në vendngjarje është gjetur edhe mjeti që lëvizte viktima, por vetë ai është gjetur i vrarë jashtë mjetit“, tha dje policia.

Mirëpo sipas hetimeve të policisë, nuk rezulton që i moshuari të ketë precedentë të mëparshëm penalë dhe familjarët e tij pretendojnë se nuk kanë patur konflikte të mëparshme.

Policia ka verifikuar edhe tre djemtë e të moshuarit, dy prej të cilëve jetojnë jashtë vendit me familjet, por që asnjëri prej tyre nuk rezulton të ketë probleme me policinë.

Për këtë arsye sipas BW, mendohet se mund të jetë ngatërruar edhe shënjestra, për shkak se në vendngjarje në kohën kur ndodhi krimi, ka patur edhe shumë njerëz të tjerë.

Vendi ku ka ndodhur krimi nuk është i mbuluar me kamera sigurie, çka e bën më të vështirë për hetuesit zbardhjen e autorëve të ngjarjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *