Vendosni fjalën kyçe....

Damian Gjiknuri: Opozita jashtëparlamentare kërkon vetëm të bllokojë procesin


Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri deklaroi se opozita e bashkuar PD-LSI, nuk po heq dorë nga kërkesa për të mos ndryshuar sistemin aktual të koalicioneve, por shtoi se shumica është e vendosur.

“Fatkeqësisht opozita jashtë parlamentit ndodhet në qëndrimet bllokuese për të bllokuar kushtetutën apo implementimin bazuar te 2-3 kërkesat e saj të natyrës politike. Amendimet kushtetuese, por edhe ata nuk japin asnjë argument, përtej kushtit që koalicionet të jenë sikur janë dhe asgjë tjetër. Por amendimet nuk pengojnë hapjen e listave 100% dhe as koalicionet parazgjedhore. PD-ja ka thjesht qëllimin e bllokimit për të mos e bërë të mundur këtë arritje.

Ata thonë se shqetësimi i tyre nuk është hapja e listave, por kanë çështjen e koalicioneve, u kemi thënë të zgjedhin një model si paraqiten në vendet që kanë proporcional rajonal. Koalicionet rregullohen në kod, le të marrim një model. Ne jemi dakord, cdo vend i hapësirës së OSBE-së, që ka këtë sistem, le të zgjedhin formulën.

Parlamenti nuk ka bërë asnjë gabim, e gjithë procedura është në rregull, edhe referuar shqetësimeve për frikën si ishte shkruar dispozita, do të thotë se parlamenti ka reflektuar, por hajde të gjejmë modelin. Fleta e votimit është problem teknik, këtu kemi problemin principal, koalicion sipas një modeli të vendeve të OSBE-së.

Nuk e di si i bën llogaritë secili. Kur kemi një ndryshim me listat e hapura do të marrim një model që e njeh këtë. Gara me koalicione lejohet, do ta rregullojmë në kod sipas një formule model të mbështetur në një nga vendet e OSBE-ODHIR”- deklaroi Gjiknuri.

Mbetet e qartë se mes palëve nuk është arritur as në mbledhjen e sotme, në një kompromis lidhur me hapjen e listave dhe ndryshimin e modelit të koalicioneve.