Vendosni fjalën kyçe....

E dashur Vilma…


Nga Briken Fejzullai

E dashur Vilma!

Lexova me shumë vëmendje letrën e hapur që ke shkruar nga spitali ku po kurohesh në Turqi.

Ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte mungesa e paqes dhe mllefi i madh me të cilin po përjeton rikuperimin tënd, por mbi të gjitha, nevoja jetike për të pastruar emrin, të cilin (në këndvështrimin tim), nëse do kishe ndërgjegjen e pastër, nuk do kishe absolutisht nevojë ta fusje vetë, nëpër mekanizma “vettingu”.

Ti dikur, ke qenë nga njerëzit shembull për t’u ndjekur në botën e biznesit. Një njeri që siç thua ti, nuk u përkul dhe nuk hoqi dorë nga puna e ngritur me mund dhe djersë, as në ditët më të zeza (ato të rrëmbimeve në stil mafioz). Ishe një njeri i nderuar dhe i respektuar nga burra a gra, kudo nëpër Shqipëri.
Personalisht, jam ndjerë krenar që kam patur vazhdimisht ndër vite, marrëdhënie të shkëlqyera biznesi me kompaninë tënde, ku punojnë shumë njerëz të mrekullueshëm e me integritet të lartë moral e shoqëror.

Më vjen sinqerisht keq të të shoh sot teksa përpëlitesh për të pastruar emrin të cilin, fatkeqësisht nga tahmaja apo nga mania për t’u ndjerë e gjithëpushtetshme, bëre pis me duart e tua.

Mendoj dhe besoj se në këtë ditë të vështirë për ty, nuk të mallkon njeri sepse je një businesswomen e sukseshme, e cila ka arritur majat.
Ti u bëfsh më e pasur se Jeff Bezos, Elon Musk apo Jack Ma; deri ditën kur paratë i bën me djersë dhe mund!
Ia uroj gjithkujt që punon ndershëm; ty “in primis” sepse je një grua/një nënë, në një botë të egër burrash.

Ty e dashur Vilma, nëse vërtet të mallkon kush sot, të mallkon sepse; edhe pse me një kompani solide ku punësohen qindra shqiptarë, harrove se çdo të thotë të jesh shqiptar e të kesh halle shqiptari.

Nëse vërtet të mallkon kush sot, të mallkon; sepse në vendin me standartin më të ulët të mjekësisë në Evropë, përmes tenderave plot hije (për të qenë gentleman, them plot hije), more paratë me të cilat mund të kuroheshin mijëra shqiptarë nëpër spitale të reja dhe i ndave me një bastard si Beqja e me një kryebastard si shefi i tij.

E tani që të vjen radha ty të marrësh mjekësinë “falas” të këtij vendi, nuk ke as buonsensin të kurohesh aty ku mbushe (pa patur nevojë) thasët, por i hipën avionit e nisesh me urgjencë për Turqi; sepse të duket jeta jote, më e rëndësishme se e atyre që i konsideron thjesht numra.

Ndaj e dashur; të lutem shërohu sa më shpejt për të dashurit e tu, por bëje në heshtje e mos na përziej shumë stomakun, me moralin tënd patetik!

Thënë kjo; të uroj me zemër atë që i uroj çdokujt në jetë, përfshirë vetes time:
Ta bëftë Zoti, siç ke shpirtin!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *