Vendosni fjalën kyçe....

PD i përgjigjet PS-së: S’jemi kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor, por diskutimi tani alibi e Ramës


Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Rama lidhur me reformën zgjedhore.

Në një deklatarë për mediat selia blu thekson se nuk është kundër rishikimit të sistemit zgjedhor por kjo do kërkojë reformim të plotë të sistemit kushtetues.

Në deklaratën e PD-së theksohet se kjo gjë nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit e qeverisjes e blerjes së votës nga pushteti.

“Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret. Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut. Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.” – thuhet në deklaratën e PD-së.

Më tej thuhet se hapja e diskutimit për sistemin zgjedhor në këtë moment është alibi e Ramës për të vonuar miratimin në parlament të marrëveshjes së 5 qershorit.

“Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë.” – mbyllet reagimi i PD-së.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *