Vendosni fjalën kyçe....

Meta miraton aktet normative për marrëveshjen e qeverisë me “Pfizer” për vaksinat


Presidenti i vendit Ilir Meta ka miratuar aktet normative për marrëveshjen sekrete të qeverisë shqiptare me kompaninë “Pfizer” për vaksinat kundër Covidit.

Megjithatë ai i bën apel qeverisë të tregohet transparente dhe të informojë qytetarët.

Në një shkrim me titull “kontrata sekrete e qeverisë me“pfizer”për vaksinat”, gogo.al ka zbuluar disa detaje nga marrëveshja e qeverisë me kompaninë “Pfizer”.

Kuptohet se Rama vërtet gjeti një çmim të leverdisshëm, vetëm 12 dollarë për një dozë, po të llogaritet se Bashkimi Europian e bleu për 18 dollarë, ndërsa Shtetet e Bashkuara në blerjet paraprake e paguan 20 dollarë dozën.

Por ka të tjera detaje që duhen shikuar e shpjeguar me kujdes.

Sipas kontratës rezulton se Shqipëria do të paguajë në total 6 milionë dollarë.

Një kalendar i mirë vaksinimi duhet të parashikojë nisjen e menjëhershme të vaksinimit masiv, që tashmë ka nisur me personelin mjekësor, pastaj të vazhdojë sa më shpejt me shtresat më të rrezikuara nga covid-19, siç duhet ta përmbajë edhe kalendari sekret i vaksinimit. Por kontrata që ka firmosur Rama me Pfeizer nuk të lejon nisjen e vaksinimit masiv që në janar.

Në janar do të mbërrijnë në Shqipëri pak më shumë se 10 mijë vaksina. Në muajin shkurt do të vijnë pak më shumë se 30 mijë vaksina. Pjesa tjetër, prej rreth 450 mijë dozash, vijnë pas muajit korrik. Pra nga shkurti në korrik mbetet një periudhë bosh. Prandaj, deri në korrik, qeveria duhet të menaxhojë procesin me këto që ka.

NJOFTIMI I PRESIDENCËS

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta ka dekretuar me shpallje,

–   Ligjin nr. 1/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 38, datë 31.12.2020, të Këshillit të Ministrave “Për dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit e vaksinës anticovid-19, të cilët janë të certifikuar nga Departamenti Amerikan i Ushqimit dhe Barnave (FDA) dhe/ose Agjencia Europiane e Barnave (EMA) për furnizimin e Republikës së Shqipërisë me këtë vaksinë””.

–  Ligjin nr. 2/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 10.1.2021, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e tekstit të marrëveshjes për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, Institutit të Shëndetit Publik dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin, autorizimin e procedurës për lejimin e hyrjes dhe administrimit të vaksinave anticovid-19 në Republikën e Shqipërisë, si dhe përdorimin e tyre në popullatë””.

–  Ligjin nr. 3/2021 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 3, datë 18.1.2021, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e marrëveshjes së nënshkruar për “Prodhimin dhe furnizimin ndërmjet Pfizer Export B.V. dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik””.

Presidenti i Republikës, i bën thirrje Qeverisë, që nëpërmjet një plani të qartë dhe efikas të angazhohet seriozisht me të gjitha burimet, për mbulimin e nevojave të popullsisë për vaksinim, brenda një kohe sa më të shkurtër dhe përmes një protokolli shëndetësor të sigurtë, që garanton ruajtjen e vaksinës në parametra të sigurtë, me qëllim efektivitetin e saj.

Kreu i Shtetit thekson domosdoshmërinë e informimit të duhur të qytetarëve për vaksinën dhe karakteristikat e saj, sipas rregullave, që normojnë këtë proces me kaq rëndësi.

Transparenca është thelbësore në demokraci, veçanërisht në luftën kundër kësaj pandemie tepër të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e qytetarëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *