Vendosni fjalën kyçe....

Kryenegociatori Zef Mazi: Do jem avokati më i mirë i vendit


Kryenegociatori për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Zef Mazi thotë se ndihet i nderuar për këtë post që qeveria i ka besuar. Ai tha se do të punojë si avokati më i mirë i Shqipërisë dhe partneri më bashkëpunues i Unionit Europian.

“Për mua është nder të jem sot këtu në krahun tuaj dhe përballë ekipit të negociatorëve.

Nesër bëhen 20 vjet kur vendi unë u pranua në OSBE dhe e kujtoj me përulje draftimin e pjesës së parë për aplikim kur mora pjesë edhe unë.

Ndjehem shumë i prekur, dua t’ju falenderoj për besimin dhe mirëkuptimin absolut që keni treguar ndaj meje.

Do funksionoj si avokati më i mirë i vendit tonë, si partneri më i mirë e bashkëpunues me Unionin Europian.

Do kemi sfida dhe ndodh që do kemi dhe pengesa, por motoja duhet të jetë ‘JO kjo gjë nuk bëhet’, por të gjejmë rrugën për ta realizuar.

Ka shumë rëndësi ekipi. Suksesi i misionit është kur ekipi funksionon harmonishëm, duke ruajtur ritmin e punës. Nuk duhet as ulje dhe as nxitim i madh sepse këtu kemi të bëjmë me një maratonë të gjatë. Kemi mësuar se në maratonë, ata që e nisin me vrull nuk e përfundojnë.

Detyra ime si kryenegociator është t’ju dëgjoj, të kërkoj duke biseduar me të gjitha nivelet e larta të vendit tonë, aktorët politik të vendit tonë, sepse kjo rrugë e gjatë ka nevojë për mbështetjen e plotë të të gjithë palëve, qeverisë, presidentit, mediave, shoqërisë civile. “– tha zoti Mazi.

Diplomati i lartë shqiptar tha se po punohet për të ngritur një Akademi për Integrimin, që do shërbejë si qendër trajnimi për të gjitha ata që do të merren me çështjet e integrimit.

“Kam biseduar me kryeministrin dhe po punohet që në vendin tonë të ngrihet një Akademi për Integrimin. Kuptohet se për këtë po punohet. Do jetë si një qendër trajnimi në vijim për të gjithë ata që merren me çështjet e Integrimit.”- tha Mazi.

Kryenegociatori foli edhe për vakancat për ekipin që do i bashkohet, duke thënë se do i shohë me shumë kujdes të gjitha aplikimet.

“Për dijeninë tuaj ekipi i kryenegociatorit do përbëhet nga një grup i vogël, tre-katër veta. Vakancat për këto tre vende në kohën e duhur do bëhen publike.

Unë do i shoh me shumë kujdes të gjitha aplikimet për këto poste, për çdo kandidaturë, sepse ky post ka nevojë të këshillohet dhe jo të këshillojë. Prandaj do të kemi mundësi të zgjedhim më të kualifikuarit sepse suksesi i punës sonë ka më shumë rëndësi se preferencat individuale.

Puna që do bëjë ky ekip, duke folur me një zë, duke komunikuar sëbashku për arritjen e objektivave. Vetëm kështu do kemi sukses. Vij në këtë post i nderuar pas eksperiencës si diplomat dhe punës në institucione ndërkombëtare siç tha kryeministri, ka qenë një vlerësim jashtëzakonisht i madh që në këto vende ka punuar një diplomat shqiptar, por ky post ka rëndësi të veçantë. Është krenari dhe nder sepse unë do punoj sëbashku me juve, do punoj për vendin tim, për shtetin tim.”– përfundoi kryenegociatori.